NJE KOMB -NJË HISTORi!

​​Ujdia e heshtjes si pakt dhe kombi si monedhë këmbimi!
Kur patriotizmi mbaron tek kufijtë e pushtetit!

Pse ortakët e tranzicionit po shesin interesant shqiptare!

​Kombi dhe identiteti janë të shenjta!
Prandaj, heshtja e ortakëve të tranzicionit përballë goditjeve ndaj tyre nuk është gjë tjetër veçse një utilitarizëm i pakuptimtë dhe kapitullim i pastër diplomatik.
​Tranzicioni i gjatë shqiptar nuk ka prodhuar thjesht një rrotacion të zakonshëm pushtetesh, por ka ndërtuar një strukturë të mirëfilltë bashkëfajësie. Ortakët e këtij tranzicioni, përtej retorikës së tyre të ashpër në ekranet televizive dhe betejave të inskenuara për konsum publik, funksionojnë me një kod të përbashkët e të palëkundur kur vjen puna te mbrojtja e interesave jetike kombëtare:
Ata zgjedhin heshtjen selektive.
​”Non Grata” dhe alibitë e Kosovës!
​Sali Berisha ka ndërtuar me kujdes narrativën e tij, duke deklaruar publikisht se shpallja e tij “non grata” ishte një ndëshkim i drejtpërdrejtë për qëndrimin e tij të prerë kundër projektit të ndarjes së Kosovës dhe shkëmbimit të territoreve.
Sipas tij, ky sanksionim nuk buronte nga korrupsioni apo minimi i demokracisë, por ishte një hakmarrje e lobuar fort nga Edi Rama dhe George Soros, për shkak se ai u bë pengesë për planet që kërcënonin integritetin territorial të Kosovës.
​Por, nëse ky version paraqitet si një akt suprem patriotik për mbrojtjen e kufijve, qëndrimi i ortakësisë politike është heshtja sapo drita e vëmendjes zhvendoset te çështjet ku patriotizmi kërkon veprime konkrete shtetërore dhe jo thjesht alibi vetjake për mbrojtje personale.
​Ku ndalet “patriotizmi” i ortakëve?
​Në të njëjtën kohë që flitet për vija të kuqe dhe mbrojtje të interesit kombëtar, të dy—si Edi Rama, ashtu edhe Sali Berisha—zgjodhën të heshtnin përballë goditjeve të rënda ndaj identitetit shqiptar në rajon.
​Ata heshtën përballë ndërrimit dhe heqjes së emrave të figurave historike në Tetovë e në Maqedoninë e Veriut.
Po ashtu, ata zgjodhën heshtjen përballë deklaratës skandaloze, me përmbajtje psikofashiste, të ministres serbe për spastrim etnik në Dardaninë tonë, në Kosovë!
​Kjo heshtje e përbashkët zbulon mekanizmin e vërtetë se si funksionojnë ortakët e tranzicionit:
​Kalkulimi para parimit:
Çështja kombëtare nuk është një parim udhëheqës për ta, por një monedhë këmbimi.
Kosova përdoret si mburojë politike kur duhet ndërtuar një alibi ndërkombëtare, ndërsa Tetova dhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut injorohen kur reagimi nuk u sjell asnjë përfitim elektoral ose kur ky reagim ua prish ekuilibrat me qeveritë e huaja dhe faktorin ndërkombëtar.
​Pakti i heshtjes:
Kur bëhet fjalë për të mos trazuar ujërat e aleancave dhe marrëveshjeve rajonale, ata ndajnë të njëjtën agjendë pasive.
Të dy liderët heshtin për t’i ikur përgjegjësisë shtetërore e morale që Tirana zyrtare e ka si detyrim kushtetues për mbrojtjen e të drejtave dhe trashëgimisë së shqiptarëve jashtë kufijve.
​Detyrimi kushtetues dhe rreziku i fragmentimit!
​Tirana zyrtare e ka detyrim kushtetues të jetë zëri dhe mbështetësja e pakushtëzuar e Kosovës, e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi e në Preshevë, si dhe të mbrojë me forcë kauzën çame.
Ajo nuk mund t’u vërë kufij identitarë shqiptarëve në trojet e tyre etnike duke i quajtur ata thjesht “kosovarë”, “çamë”, “ulqinakë”, “tetovarë” apo “preshevarë”!
​Kjo heshtje e lidershipit në Tiranë interpretohet si dobësi, ose akoma më keq, si pranim.
Çdo llogari apo dëshirë për t’u dukur “lider paqebërës” me çdo kusht është një goditje pas shpine për interesat jetike të Shqipërisë në rajon.
​Kur “bota serbe” apo platformat e tjera sllave hartojnë dhe përhapin agresivisht projekte gjeopolitike, ndërsa lidershipi në Tiranë hesht, atëherë në tryezat ndërkombëtare mbetet vetëm versioni i tyre.
Kjo heshtje nuk është maturi diplomatike.
Ky qëndrim është një kalkulim afatshkurtër që dëmton rëndë interesin kombëtar në emër të një kompromisi të rremë për stabilitet në rajon, thjesht për të ruajtur “paqen” dhe për të fituar pikë personale tek ndërkombëtarët.
​Drejt një kapitullimi të heshtur!
​Një komb që nuk reagon kur i preket historia dhe identiteti, e humb peshën specifike në çdo tryezë negociatash.
Heshtja e lidershipit në Tiranë nuk është as pragmatizëm, as vizion.
Ajo është humbje e dinjitetit shtetëror dhe një kapitullim i heshtur përballë platformës së “botës serbe”, e cila synon zhbërjen e kombit shqiptar përmes:
​Enklavizimit, ekstraterritorialitetit në Kosovë;
​Krijimit të tezës artificiale për një “komb kosovar” të ndarë nga trungu;
​Pasivizimit të adresave në Luginën e Preshevës;
​Asfiksimit të Gjuhës Shqipe dhe zhdukjes së identitetit tonë në Maqedoninë e Veriut;
​Zbehjes së faktorit shqiptar në Mal të Zi;
​Eklipsimit të kauzës çame dhe nxitjes së asociacionit të jugut në Shqipëri;
​Nxitjes së ndjenjave antiamerikane në emër të një “sovranizmi” të rremë, për të goditur aleancën strategjike njëshekullore amerikano-shqiptare.
​Apostrofoj se është tërësisht e pakuptimtë që Tirana zyrtare zgjodhi të heshtë edhe përballë deklaratës skandaloze, çnjerëzore të ministres serbe të qeverisë së Vuçiçit – bashkëpunëtorit më të ngushtë të Millosheviçit, që kreu masakrat çnjerëzore të Srebrenicës dhe operacionin “Patkoi” në Kosovë.
​E vërteta që mbetet!
​Sot është e domosdoshme një Besëlidhje Shqiptare për një Manifest Kombëtar.
​Nuk mund të pretendohet mbrojtja e kombit në njërën anë, ndërsa lejohet fshirja e historisë dhe heronjve tanë në anën tjetër.
Kjo dëshmon se për ortakët e tranzicionit, pushteti personal dhe mbijetesa politike peshojnë gjithmonë më shumë sesa dinjiteti, ekzistenca dhe pastërtia e identitetit shqiptar ndaj sot më shumë se kurrë duhet reagim panshqiptar
“Një komb një Histori”.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume