Partneritet i ri për një të ardhme të sigurt energjetike, nënshkruhet Memorandum bashkëpunimi me Fakultetin e Teknologjive Informative dhe Komunikuese në Manastir
Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale dhe Fakulteti i Teknologjive
Informative dhe Komunikuese pranë Universitetit „Shën Klimenti i Ohrit“ në Manastir, sot
nënshkruan Memorandum bashkëpunimi.
Memorandumin e nënshkruan ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve minerale,
Sanja Bozhinovska, dhe dekani i Fakultetit të Teknologjive Informative dhe
Komunikuese, prof. dr. Blagoj Ristevski.
Me Memorandumin e bashkëpunimit përcaktohet një kornizë bashkëpunimi ndërmjet
Ministrisë dhe Fakultetit të Teknologjive Informative dhe Komunikuese pranë
Universitetit „Shën Klimenti i Ohrit“ në Manastir, me qëllim shfrytëzimin e kapaciteteve
shkencore-profesionale, profesionale, materiale-teknike dhe hapësinore, të orientuara
drejt avancimit të aktiviteteve edukative, kërkimore dhe aplikative.
„Zhvillimi i një shteti bazohet në partneritet dhe bashkëpunim, të cilat janë parakusht për
një shoqëri të suksesshme dhe të begatë. Shteti ynë ka potencial, vizion dhe kapacitet
për t’u shndërruar në një lider rajonal për një tranzicion të suksesshëm energjetik, duke
u mbështetur në lidhjet institucionale me institucionet e arsimit të lartë dhe ato
shkencore“, theksoi ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, Sanja
Bozhinovska, gjatë nënshkrimit të Memorandumit të bashkëpunimit.
Është konstatuar bashkërisht se sektori i energjisë duhet të ndjekë zhvillimet më të reja,
veçanërisht në fushën e teknologjive informative dhe komunikuese. Në këtë kontekst,
një theks i veçantë gjatë takimit iu kushtua sigurisë kibernetike dhe digjitalizimit, si dhe
përdorimit të inteligjencës artificiale dhe aplikimit të saj për përmirësimin e punës së
institucioneve.
Nënshkrimi i sotëm i Memorandumit është pjesë e strategjisë së Ministrisë së energjisë,
minierave dhe burimeve minerale për rrjetëzim institucional, i orientuar drejt sigurimit të
një sistemi energjetik të sigurt, stabil dhe modern, në përputhje me standardet
evropiane.

