Shqipëria mbyll 3 kapitujt e parë të negociatave me BE. Marta Kos: Tani thelloni reformat. Shfuqizoni ligjin e investimeve strategjike. Rama: Gur kilometrik drejt anëtarësimit
Shqipëria ka hedhur sot një tjetër hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian.
Në Bruksel u mbajt konferenca e 9-të ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian nga ku u zyrtarizua mbyllja edhe e tre kapitujve të parë nga 33 që janë gjithsej.
Bëhet fjalë për Kapitullin 25 – Shkenca dhe Kërkimi, Kapitullin 26 – Arsimi dhe Kultura dhe Kapitulli 30 – Marrëdhëniet me Jashtë.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, kryeministri Rama e cilësoi mbylljen e tre kapitujve një hap të rëndësishëm përpara.
Sipas tij, ky është një mesazh që Shqipëria po jep rezultat.
“Ajo çfarë ndodhi tani shënon vërtet një gur kilometrik tjetër në rrugëtimin e pakthyeshëm të Shqipërisë në BE. Sapo ramë dakord të mbyllim tre kapituj të rëndësishëm negociatorë. Ky nuk është thjesht një hap, por një vlerësim që Shqipëria po ecën përpara, që reformat po japin rezultate. Se e sotmja është e rëndësishme edhe sepse thekson një mesazh mjaft të rëndësishëm të ‘Epokës së re’. Shqipëria jep rezultate, BE jep rezultate. Shqipëria ecën përpara dhe BE reagon për këtë”, deklaroi Rama.
Ndërsa Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, përsëriti mesazhin e Brukselit se reformat duhet të vijojnë.
“Ky është një hap i ndërmjetëm që do të thotë se reformat duhet të vazhdojnë të thellohen. Inkurajojmë që të vazhdohet progresi në sistemin e drejtësisë, lufta kundër krimit dhe korrupsionit”, deklaroi komisionerja.
Një pjesë e rëndësishme e konferencës së përbashkët për shtyp, në përfundim të takimit ndërqeveritar, ishte edhe komenti për protestën që po zhvillohet në Tiranë.
Komisionerja tha se është rënë dakord më parë me qeverinë shqiptare për të shfuqizuar ligjin për investimet strategjike dhe ligjin për zonat e Mbrojtura.
“Lidhur me projektin specifik, mbrojtja mjedisore është pjesë e kritereve të anëtarësimit në BE dhe aktualisht ka një sërë ligjesh që duhen ndryshuar për të përmbushur këtë kriter. Edhe përpara se të nisnin këto protesta kishim rënë dakord me Shqipërinë që gjatë këtij viti do të shfuqizoheshin amendamentet e vitit 2024 për zonat e Mbrojtura, gjithashtu do të shfuqizohej ligji për investimet strategjike dhe këto ndryshimet do të duheshin bërë për të mbyllur negociatat për kapitullin 27 që ka të bëjë me mjedisin dhe ndryshimin e klimës dhe do të inkurajoja autoritetet siç dëgjova që do ta bëjnë këtë gjë sa më shpejt të jetë e mundur.”, deklaroi zyrtarja e lartë e Brukselit.
Pas fjalës së saj, kryeministri Rama ndërhyri sërish duke thënë se qeveria e drejtuar prej tij ka rënë dakord për shfuqizimin e këtij ligji, teksa tha se ai i Zonave të Mbrojtura është shumë i mirë.
“Ligji për investimet strategjike do të anulohet, ndërsa ligji për Zonat e Mbrojtura është një nga ligjet më të mira që kemi, është një ligj që kemi punuar shumë fortë për ta hartuar. Është ligji i parë në vend për zonat e mbrojtura, sepse nuk kishim një të tillë më parë.”, deklaroi Rama.