Mikel Merino është “asi nën mëngë” i Spanjës. Eliminon Belgjikën me gol në fund. “Furia e Kuqe” përballë “Gjelave” të Francës në finalen e parakohshme

Spanja është kualifikuar në gjysmëfinalen e Kupës së Botës, pasi mposhti Belgjikën me rezultatin 2-1 në një sfidë të luftuar deri në sekondat e fundit, të zhvilluar në “SoFi Stadium” të Los Anxhelosit. Në gjysmëfinale, iberikët do të përballen me Francën.

Skuadra e Luis de la Fuentes kaloi në avantazh në minutën e 30-të. Pas një krosimi të Pedro Porro nga krahu i djathtë, Dani Olmo u ndal fillimisht nga pritja e Tibo Kurtua, por Fabian Ruiz ishte i vëmendshëm dhe e dërgoi topin në rrjetë.


Belgjika reagoi në fundin e pjesës së parë dhe barazoi në minutën e 41-të. Timoti Kastanj harkoi saktë në zonë, ndërsa Sharls De Keteler mposhti me kokë Unai Simon, duke i shkaktuar Spanjës golin e parë në këtë Botëror. Me rezultatin 1-1 u mbyllën edhe 45 minutat e para.


Në pjesën e dytë, të dyja skuadrat krijuan raste të mira. De Kuiper ishte pranë golit për Belgjikën në minutën e 55-të, por tentativa e tij përfundoi në rrjetën e jashtme. Tetë minuta më vonë, Mikel Ojarzabal iu afrua golit të avantazhit për Spanjën, por Kurtua reagoi në mënyrë fantastike.

Në minutën e 71-të, Belgjika pësoi një goditje të rëndë, pasi portieri Tibo Kurtua u detyrua të largohej nga fusha i dëmtuar, mes lotësh, duke ia lënë vendin Sen Lamens.

Kur gjithçka po shkonte drejt kohës shtesë, Spanja gjeti golin e kualifikimit. Në minutën e 88-të, një goditje e fortë nga Pau Cubarsi u devijua jo mirë nga Lamens, ndërsa Mikel Merino, i futur vetëm pak minuta më parë, përfitoi nga topi i mbetur në zonë dhe e shtyu në rrjetë për 2-1.

Merino u shndërrua sërish në heroin e Spanjës, pasi edhe në ndeshjen ndaj Portugalisë kishte realizuar golin vendimtar vetëm pak minuta pas aktivizimit nga stoli. Me këtë fitore dramatike, “La Roja” siguron një vend në gjysmëfinale, ku e pret Franca e Kilian Mbape.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume