Për dy ditë me radhë, Parisi ishte kryeqendra e zhvillimeve diplomatike evropiane. Jo pa arsye.
Me rastin e 14 Korrikut, Ditës Kombëtare të Francës, presidenti Emmanuel Macron mblodhi në kryeqytetin francez dhjetëra burrështetas të lartë evropianë, mes tyre kryeministrin britanik Keir Starmer, kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Maqedoninë e Veriut në këtë ngjarje tejet të rëndësishme e përfaqësoi zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali.
Me ftesë të presidentit Macron, zëvendëskryeministri i parë mori pjesë në Takimin e Koalicionit të Vullnetarëve, në darkën zyrtare në Pallatin Élysée dhe në ceremonitë e 14 Korrikut, të cilat kulmuan me paradën madhështore ushtarake në Champs-Élysées.
Për dy ditë, Parisi ishte vendi ku u fol për sigurinë dhe të ardhmen e Evropës. Fakti që Maqedonia e Veriut u përfaqësua nga zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali i jep peshë jo vetëm vendit tonë, por edhe përfaqësimit politik të shqiptarëve.
Për VLEN-in, prania e Maqedonisë së Veriut aty ku diskutohen siguria dhe e ardhmja e Evropës është mënyra më e mirë për të forcuar rolin dhe besueshmërinë ndërkombëtare të vendit.