Rasti i dhunës ndaj vajzës 14-vjeçare në Kumanovë është zbardhur plotësisht, me çka Setori për Punë të Brendshme (SPB) në Kumanovë ka dorëzuar padi penale ndaj 18-vjeçares P.A. nga fshati Llojan i komunës së Likovës, si dhe ndaj dy të miturave të moshës 14 and 15 vjeçe nga Kumanova. Ato dyshohen se kanë kryer veprën penale „dhunë“, e dënueshme sipas nenit 386, paragrafi 3 të Kodit Penal.
Sipas informacioneve nga policia, incidenti ka ndodhur më 13 mars 2026, rreth orës 18:00. Të dyshuarat e kanë thirrur të miturën 14-vjeçare që të dalë nga shtëpia e saj, e më pas e kanë bindur të hynte në një hapësirë pranë qendrës sportive „Sokolana“ në Kumanovë.
Pasi ka hyrë në këtë hapësirë, vajza fillimisht ka qenë shënjestër e ofendimeve dhe poshtërimeve, e më pas tri të dyshuarat e kanë sulmuar fizikisht. Gjatë kohës së sulmit, njëra prej tyre e ka filmuar të gjithë ngjarjen me celular.
Pas ushtrimit të dhunës, të denoncuarat i kanë drejtuar kërcënime serioze të miturës, duke kërkuar nga ajo që të mos e paraqiste rastin në polici dhe të mos tregonte asgjë për videon. Me këtë rast, ato e kanë kërcënuar se nëse vepron ashtu ose nëse videoja bëhet publike, do të përballej me pasoja edhe më të rënda.
Pas ndërmarrjes së masave hetimore dhe sigurimit të provave, SPB Kumanovë e ka zbardhur rastin dhe ka dorëzuar padi penale ndaj tri të dyshuarave në Prokurorinë Publike kompetente.