Zbulohen detaje të reja nga atentati në Laç/ Viktima dhe autori i dyshuar ishin fqinj, u qëllua me shtatë plumba, sapo zbriti nga makina…
Detaje te reja nga vrasja e ndodhur një natë më parë në lagjen “Erdogan” në qytetin e Laçit ku mbeti i vrarë Ilir Gjini.
Sipas burimeve, 40-vjeçari, i njohur edhe me mbiemrat Kokaj, Lika dhe Nure, ka qenë në këmbë në momentin kur është qëlluar me shtatë plumba, ndërsa po i drejtohej hyrjes së pallatit ku banonte.
Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar, Emiljan Suti alias Artur Suti. Sipas të dhënave paraprake, ai ka hapur zjarr menjëherë pasi viktima kishte parkuar automjetin. Edhe pse ka tentuar të largohet, 40-vjeçari është ndjekur dhe është qëlluar sërish pranë hyrjes së godinës.
Gazetarja e Top Channel, Brixhilda Deda, raporton se i plagosur rëndë, ai është transportuar drejt spitalit, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë gjatë rrugës.
Burimet bëjnë me dije se viktima dhe autori i dyshuar ishin fqinj, pasi banonin në të njëjtën lagje. Në kuadër të hetimeve, në komisariat janë shoqëruar nëna dhe vëllai i autorit të dyshuar, ndërsa kontrollet për kapjen e tij vijojnë.
Policia po heton disa pista që lidhen me motivin e ngjarjes, përfshirë edhe të shkuarën e viktimës jashtë vendit. Sipas burimeve nga grupi hetimor, 40-vjeçari kishte edhe precedentë penalë.