Shkup, 30.09.2026 Ministri i Mjedisit Јetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, sot mori pjesë në Seminarin për Sigurinë Mjedisore, i cili u mbajt në Shkup, në kuadër të Twining projektit të BE-së për forcimin e kapaciteteve për zbatimin e legjislacionit mjedisor.
Në fjalën e tij, Hoxha theksoi se ndryshimet klimatike, ndotja, degradimi i natyrës, mbetjet, mungesa e burimeve dhe rreziqet ndërkufitare po bëhen gjithnjë e më shumë pjesë e agjendës globale të sigurisë.
„Asnjë vend nuk mund t’u përgjigjet i vetëm këtyre sfidave. Qasja jonë duhet të jetë e qartë: parandalim në vend të reagimit, bashkëpunim në vend të izolimit dhe përgjegjësi institucionale“, theksoi Hoxha.
Ai theksoi se siguria mjedisore, sundimi i ligjit dhe lufta kundër krimit janë të lidhura ngushtë, duke nënvizuar rolin e organeve inspektuese dhe autoriteteve të tjera kompetente në parandalimin e aktiviteteve të paligjshme që mund të rrezikojnë mjedisin, shëndetin dhe burimet natyrore.
Ministri Hoxha theksoi se bashkëpunimi ndërkombëtar është një nevojë operative, veçanërisht në përballjen me krimin mjedisor ndërkufitar. Në këtë drejtim, ai vuri në dukje rëndësinë e shkëmbimit të informacionit, forcimit të kapaciteteve institucionale dhe bashkëpunimit përmes rrjeteve siç është Rrjeti i BE-së për Zbatimin dhe Përforcimin e së Drejtës Mjedisore – IMPEL.
Ai theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj forcimit të kapaciteteve institucionale dhe thellimit të bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar për një mjedis të sigurt për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.
Në seminar u diskutua për sfidat e ardhshme mjedisore, përfshirë situatat emergjente, shëndetin publik dhe ndryshimet klimatike, si dhe për sfidat aktuale dhe të ardhshme në Greqi dhe në rajonin më të gjerë të Ballkanit.
Në diskutime morën pjesë ekspertë dhe përfaqësues nga Maqedonia e Veriut, Greqia dhe Spanja.