Problemi i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut nuk mund të matet vetëm me
atë që bën apo nuk bën një kryetar, me vizitat e tij ngushëlluese, me pritjet e tij apo me
pjesëmarrjet e tij në hatme e mevlude, nëpër aktivitete që gjenerojnë të ardhura për xhepin
e tij personal. Është shumë më i thellë se kaq

Shkruan Mr. Eset Shaqiri, teolog

Nuk është vetëm mungesë vizioni për të ardhmen, mungesë programi për zhvillimin e jetës fetare
apo mungesë bashkëpunimi ndërmjet organeve të institucionit dhe bashkësive simotra. Problemi
më i madh po shfaqet diku tjetër: te rreziku që BFI-ja të shndërrohet në hapësirë të ndikimit
partiak dhe në terren ku subjektet politike kërkojnë të vendosin njerëzit e tyre në krye të një
institucioni që nuk është pronë dhe organ i asnjë partie.
Kjo është çështja që duhet të shqetësojë sot çdo mysliman të këtij vendi, por edhe çdo qytetar që
e kupton rëndësinë e institucioneve fetare në një shoqëri.
BFI-ja nuk është parti politike. Nuk është degë e ndonjë partie. Nuk është zyrë që mund të
ndryshojë drejtuesin sa herë ndryshojnë raportet politike. Dhe, mbi të gjitha, nuk mund të bëhet
vend ku partitë provojnë forcën e tyre për të parë se kush do ta vendosë “hoxhën e vet” në krye të
institucionit.
Ajo që ndodhi në vitin 2020 mbetet një pikë e rëndësishme për ta kuptuar gjendjen e sotme.
“Rijaseti” i BFI-së, me ndërhyrje policore si dhe të shërbimit intelegjent, e shkarkoi Sulejman
Rexhepin nga posti i Reisul Ulemasë dhe, në të njëjtën kohë, Shaqir Fetai u caktua ushtrues
detyre dhe, më vonë, duke shkelur Kushtetutën e BFI-së (sepse ushtruesi i detyrës nuk ka të
drejtë të zgjidhet, sepse përbën konflikt interesi) do të vetëzgjidhet në krye të BFI-së.
Për mënyrën se si u zhvilluan ato ngjarje janë dhënë versione dhe interpretime të ndryshme. Por
një gjë është e pamohueshme: prej asaj kohe BFI-ja hyri në një periudhë të re konfliktesh të
brendshme, përplasjesh dhe krizash autoriteti. Edhe në vitin 2023 pati raportime për një tentim të
mundshëm për shkarkimin e Fetait, (dhe prap në sekonda të fundit ndërhyri “policia” e partizuar)
ndërsa BFI-ja nuk e konfirmoi një gjë të tillë dhe e shpjegoi largimin e disa drejtuesve me
sistematizim të vendeve të punës.
Por sot po shfaqet një rrezik tjetër: politizimi i vetë procesit të ardhshëm të drejtimit të BFI-së.
Nëse njëherë është krijuar përshtypja se drejtimi i institucionit mund të përcaktohet përmes
ndikimeve të jashtme, atëherë krijohet një precedent shumë i rrezikshëm. Sepse, pasi hapet një
herë dera, nuk mbetet e hapur vetëm për njërin. Hyn tjetri. Pastaj një tjetër. Dhe në fund
institucioni fetar shndërrohet në një fushë ku partitë politike provojnë të vendosin ekuilibrat e
tyre. Këtu qëndron rreziku i vërtetë.
Në vend që të diskutohet se cili kandidat ka vizionin më të mirë për jetën fetare, për arsimin
islam, për edukimin e brezave të rinj, për marrëdhëniet ndërmjet xhematit dhe institucioneve, për
pasurinë vakëfnore, për transparencën, për bashkëpunimin ndërfetar dhe për rolin e BFI-së në
shoqëri, mund të fillojë një garë tjetër: cila parti ka më shumë ndikim mbi cilin kandidat?

Kjo do të ishte një kthesë e rrezikshme për vetë institucionin. Sipas rregullave të bëra publike në
prag të zgjedhjeve të vitit 2020, kandidati për Reisul Ulema duhej të plotësonte kushte
profesionale e institucionale dhe, ndër të tjera, të paraqiste edhe plan-programin e tij para trupit
zgjedhor. Kjo është rruga normale e një institucioni: kandidati duhet të vijë me vizion, me
program dhe me përgjegjësi para organit që e zgjedh, jo me mbështetje të fshehtë nga korridoret
partiake.
BFI-ja ka nevojë pikërisht për këtë. Jo për një Reis të një partie, as të një grupi, apo të një
politikani. BFI ka nevojë për një Reis të institucionit. Sepse sapo një drejtues fetar perceptohet si
produkt i një partie, edhe kur ai përpiqet të jetë i pavarur, mbi të rëndon gjithmonë hija e asaj
mbështetjeje. Autoriteti fetar fillon të ngatërrohet me autoritetin politik. Vendimi institucional
lexohet si vendim politik. Heshtja interpretohet si marrëveshje. Reagimi shihet si shërbim ndaj
dikujt. Fundja, Shaqir Fetai gjithnjë është lavdëruar “Jam reis i BDI-së, prandaj jam kaq i forte”!
Nëse sot ekzistojnë grupe politike apo partiake që përpiqen të përgatisin kandidatin e tyre për
drejtimin e BFI-së, kjo nuk duhet të shihet si një lojë normale e politikës. Nëse ka të tilla
përpjekje, ato duhet të bëhen publike dhe të ballafaqohen me pyetjen themelore: çfarë kërkon një
parti politike në drejtimin e një institucioni fetar? Sepse pyetja tjetër vjen vetvetiu: nëse një parti
ndihmon për ta vendosur një Reis, çfarë pret prej tij? Institucionet fetare nuk mund të
funksionojnë me këtë lloj borxhi politik.
Dhe këtu duhet të bëjmë një dallim të madh. Bashkëpunimi i BFI-së me institucionet shtetërore
dhe me partitë politike për çështje që prekin jetën e qytetarëve është krejt tjetër gjë nga varësia
politike. BFI-ja ka të drejtë të komunikojë me çdo parti, të kërkojë mbështetje për çështje që
lidhen me të drejtat e besimtarëve dhe të marrë pjesë në jetën publike. Por një institucion fetar që
hyn në marrëdhënie varësie me një subjekt politik e humb pikërisht atë që duhet ta mbrojë më
shumë: pavarësinë e vet institucionale. Në këtë pikë, heshtja bëhet problem më vete.
Kur një institucion nuk reagon për çështje që prekin drejtpërdrejt komunitetin e tij, kur nuk jep
shpjegime për vendime të rëndësishme, kur nuk komunikon qartë me besimtarët dhe kur
problemet grumbullohen pa përgjigje institucionale, krijohet një boshllëk. Dhe boshllëkun
gjithmonë e mbush dikush tjetër. E mbush politika. E mbushin grupet. E mbushin interesat
personale. E mbushin njerëzit që presin një post, një emërim, një ndikim.
Prandaj nuk mjafton të thuhet se BFI-ja ka organe, Rijaset, myftini, institucione arsimore dhe
struktura të tjera. Pyetja është nëse këto struktura funksionojnë me autoritetin që duhet të kenë
dhe nëse vendimet e tyre i nënshtrohen interesit të institucionit apo interesave që vijnë nga jashtë
tij.
Kjo pyetje bëhet edhe më e rëndësishme përballë problemeve konkrete që presin përgjigje.
Rindërtimi i Xhamisë së Çarshisë në Prilep, për shembull, nuk mund të mbetet vetëm çështje
procedurash dhe njoftimesh. Vetë BFI-ja ka deklaruar se rindërtimi ka qenë një përgjegjësi dhe
brengë e saj prej kohësh. Besimtarët kanë nevojë të dinë jo vetëm se ekziston një procedurë, por
çfarë është bërë, çfarë ka mbetur dhe kur pritet të konkretizohet puna. Një institucion fetar nuk
matet vetëm me ceremonitë që organizon. Matet edhe me përgjigjen që u jep problemeve të
komunitetit.
Dhe kjo vlen edhe për çështje të tjera që kërkojnë sqarim publik, reagim institucional dhe
transparencë. Kur një institucion hesht për një kohë të gjatë, ai nuk fiton autoritet. Përkundrazi, e
humb atë. Besimtari fillon të kërkojë përgjigje diku tjetër, ndërsa hapësira institucionale mbushet
me thashetheme, interpretime dhe interesa. Kjo është arsyeja pse sot nuk duhet të diskutojmë
vetëm se kush do të jetë Reisul Ulema i ardhshëm, por çfarë BFI-je duam të kemi. Një BFI që
ndryshon sipas marrëveshjeve politike? Një BFI ku secila parti përpiqet të ketë për reis “hoxhën

e vet”? Një hoxhe haptazi thotë se është kandidat i Afrim Gashit për reis. Tjetri hoxhë thotë se ka
përkrahjen për reis të Adnan Azizit të Besës. Një tjetër i lustron buzët për reis i përkrahur nga
Izet Mexhiti etj. A kemi nevojë për një BFI ku drejtuesi i ardhshëm e nis mandatin duke iu
përgjigjur atyre që e kanë ndihmuar të vijë në post? Apo një BFI që zgjedh drejtuesin e vet sipas
nevojave, rregullave, vizionit dhe interesit të komunitetit mysliman?
BFI-ja nuk mund të jetë poligon ku partitë politike thyejnë heshtat e tyre. Partitë kanë
parlamentin, qeverinë, komunat, programet dhe zgjedhjet. Aty duhet ta dëshmojnë forcën e tyre.
BFI-ja ka tjetër mision. Ajo duhet të jetë institucion i besimtarëve. BFI-ja mund të ketë drejtues.
Mund të ketë debate. Mund të ketë zgjedhje. Mund të ketë edhe kriza. Por nuk mund të ketë
pronarë, aq më pak partiak.
Sepse ditën kur një institucion fetar bëhet pronë e dikujt, nuk është më vetëm institucioni ai që
humb. Humb edhe besimi i njerëzve tek ai. Dhe ky është një dëm që nuk riparohet me një
emërim të ri. As nga një parti, apo pushtet. Dhe këtë situatë dikush po e ëndërron. Sidomos
degraduesit dhe shkatërruesit e BFI-së. Sepse, përgjegjësia historike mbase mund të harrohet e të
mos zbulohet asnjëherë. Kështu mendojnë vetëm ëndërrimtarët e lagur.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume