Pas dy vitesh e gjysmë angazhim intensiv të Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe
Shkencës, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Bankës Gjermane për Zhvillim, si dhe
pas punës intensive të kompanisë austriake zbatuese „Shtrabag“, më në fund Maqedonia dhe
studentët maqedonas kanë në dispozicion Konviktin Studentor më modern – „Stiv Naumov“,
në lagjen Autokomandë të Shkupit. Sot objektin e vizituan Kryeministri Prof. Dr. Hristijan
Mickoski, ministrja e Arsimit dhe Shkencës Prof. Dr. Vesna Janevska, euroambasadori
Mihalis Rokas, ambasadorja gjermane Petra Dreksler dhe përfaqësues të Bankës Gjermane
për Zhvillim – KfW.
„Jam jashtëzakonisht e lumtur që të gjithë së bashku ua mundësuam të rinjve në kryeqytet
këto ndërtesa moderne, të cilët kanë nevojë për kapacitete shtetërore për akomodim gjatë
studimeve. Nga objekte të rrënuara, disa të ndërtuara në vitin 1964, e disa në vitet ’90, të cilat
për vite me radhë ishin simbol i neglizhencës dhe kushteve johumane, burim i ndotjes, sot
kemi objekte të transformuara deri në atë masë saqë nuk njihen më – moderne, me nivel të
lartë të efikasitetit energjetik, me pajisje dhe teknologji më bashkëkohore, të cilat i
përmbushin të gjitha standardet më të larta për ndërtimin dhe pajisjen e objekteve të këtij lloji
në Bashkimin Evropian“, theksoi Janevska.
Gjithashtu theksoi se kapaciteti në dispozicion është për 1.150 studentë dhe se një pjesë e
madhe e atyre që aplikuan në konkurs dhe fituan dhomë në këtë konvikt tashmë janë
sistemuar dhe mund ta fillojnë të qetë vitin e ri akademik që nga nesër – pa u shqetësuar nëse
diku rrjedh uji, nëse do të jetë ftohtë, nëse ka ujë të ngrohtë në tualete apo lagështi nëpër
mure. Ajo u bëri thirrje që t’i përdorin me përgjegjësi hapësirat, sepse, siç tha ajo – ky është
një e mirë publike dhe nga ata varet se sa gjenerata të ardhshme do ta përdorin dhe do të jenë
po ashtu të kënaqura që ndodhen këtu.
Janevska informoi se shumë shpejt do të hapet edhe një konvikt tjetër studentor, i cili është
rikonstruktuar tërësisht – „Kuzman Josifovski – Pitu“ në Qendër, i cili do të sigurojë edhe 250
vende të tjera për studentët.

Për këto dy konvikte janë investuar 20 milionë euro, ndërsa struktura financiare është krijuar
nga Qeveria, Banka Gjermane për Zhvillim dhe Bashkimi Evropian.
Ky investim është pjesë e programit më të gjerë, i cili parashikon rikonstruksionin e 9
konvikteve studentore shtetërore, 6 shkollave me qendra burimore për nxënësit me nevoja të
veçanta dhe një konvikti për nxënës. Investimi i përgjithshëm do të kushtojë 86 milionë euro,
prej të cilave 60 milionë euro janë hua nga Banka Gjermane për Zhvillim me kushte
jashtëzakonisht të favorshme, 22 milionë euro janë grante të pakthyeshme nga BE-ja dhe
rreth 4 milionë euro janë nga buxheti i MASH-it.
„Investojmë aty ku është evidentuar se është më e nevojshme – në gjithëpërfshirjen e sistemit
arsimor dhe në standardin studentor“, shtoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume