Zoti President,

Zoti Sekretar i Përgjithshëm,

Shkëlqesitë Tuaja,

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Një fëmijë që këtë vjeshtë për herë të parë do të ulet në bankën e shkollës, në vitin 2040 do të jetë një i ri në prag tëpjekurisë. Nuk e dimë saktësisht se si do të duket bota në të cilën ai do të jetojë. Por tashmë e dimë se do të jetë ndryshe nga bota jonë.

Inteligjenca artificiale do t’i transformojë profesionet, industritë dhe mënyrat se si merren vendimet. Energjetika do të funksionojë sipas një rendi të ri dhe një logjike të re. Ndryshimet klimatike do të ndikojnë në ekonomitë, bujqësinë, qytetet dhe lëvizjen e njerëzve. Ndryshimet demografike do të riformësojnë tregjet e punës dhe sistemet e mbrojtjes sociale. Siguria nuk do të varet më vetëm nga ushtritë dhe kufijtë, por edhe nga rrjetet e energjisë elektrike, qendrat e të dhënave, kabllot, satelitët, algoritmet dhe besimi në informacionin që marrim çdo ditë.

Megjithatë, sot, ndërsa përgatitemi për atë të ardhme, miliona njerëz jetojnë në mes të luftës ose nën kërcënimin e luftës. Më shumë se njëqind milionë njerëz janë shpërngulur me forcë. Më shumë se 270 milionë fëmijë dhe të rinj nuk shkojnë në shkollë.

Ky është paradoksi i kohës sonë.

Njerëzimi kurrë nuk ka pasur kaq shumë mundësi shkencore dhe teknologjike. Megjithatë, kurrë nuk ka qenë kaq e qartë se aftësia teknologjike nuk prodhon automatikisht urtësi politike. Prandaj, pyetja e vërtetë para kësaj Asambleje nuk është vetëm se si do t’i menaxhojmë krizat e vitit 2026. Pyetja është se çfarë rendi ndërkombëtar do t’i lëmë pas brezit që sot po e nis shkollën?

Për një shtet të vogël si i imi, kjo nuk është çështje akademike. Kjo është një çështje ekzistenciale. Para tridhjetë e tre vjetësh, kur u bëmë pjesë e Kombeve të Bashkuara, bota dukej ndryshe. Lufta e Ftohtë kishte përfunduar. Ekzistonte shpresa se po fillon një epokë e re – epokë në të cilën bashkëpunimi do të zëvendësojë gradualisht konfrontimin. Megjithatë, rajoni ynë, jetonte një realitet tjetër.

Jugosllavia po shpërbëhej me gjakderdhje. Luftëra po zhvilloheshin jo larg kufijve tanë. Frika se dhuna mund të përhapej ishte reale, por shteti im e zgjodhi paqen. E zgjodhi stabilitetin.

Në ato rrethana, në territorin tonë, Kombet e Bashkuara bënë diçka që nuk e kishin bërë deri atëherë, vendosën misionin e parë paqeruajtës parandalues në historinë e Organizatës.

Ajo përvojë la një mësim të thellë në kujtesën tonë shtetërore, mësim të cilit do t’i kthehem në fund të fjalimit tim. Paqja nuk fillon kur mbaron lufta. Paqja fillon kur politika është mjaft e urtë për të parandaluar fillimin e luftës. Ndoshta pikërisht për këtë, vendet e vogla ndonjëherë e shohin politikën ndërkombëtare ndryshe.

Fuqitë e mëdha disponojnë hapësirë për kthesa strategjike që shtetet e vogla nuk e kanë. Për një fuqi të madhe, një llogaritje e gabuar gjeopolitike mund të nënkuptojë ndryshim të strategjisë. Por, për një vend të vogël, ajo mund të nënkuptojë një dekadë të humbur. Prandaj ne nuk kemi luksin të jemi indiferentë ndaj rregullave. Nuk kemi as luksin të besojmë se rregullat do të mbrohen vetë.

Bota që po krijohet para nesh është një botë e konkurrencës më të ashpër. Fuqia po rishpërndahet përsëri. Marrëdhëniet midis shteteve më të mëdha ndikojnë gjithnjë e më shumë te tregtia, teknologjia, energjia, lëndët e para kritike, rrugët e transportit dhe infrastruktura digjitale.

Atë që deri dje e quanim ndërvarësi ekonomike, sot gjithnjë e më shpesh e shohim edhe si çështje të sigurisë kombëtare. Globalizimi nuk po zhduket. Ai po transformohet. Zinxhirët e furnizimit po ndryshojnë. Prodhimi po bëhet sërish çështje gjeopolitike.

Shtetet nuk pyesin se ku është më e lirë të prodhohet diçka, por edhe kujt mund t’i besohet; jo vetëm nga vjen energjia, por nëse ajo do të jetë e disponueshme kur të vijë kriza; jo vetëm kush e zhvillon teknologjinë e re, por kush do t’i përcaktojë rregullat sipas të cilave ajo do të funksionojë.

Edhe aleancat po ndryshojnë nën presionin e së njëjtës botë. Qytetarët e Maqedonisë e dinë se ku e kanë vendin. Ne jemi aleat në NATO. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri ynë strategjik. Anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian është përcaktimi ynë strategjik.

Këto nuk janë tri politika të ndara. Ky është një orientim gjeopolitik i ndërtuar mbi demokracinë, sigurinë kolektive, sundimin e ligjit dhe ekonominë e hapur.

Në kohë pasigurie, përgjigjja jonë nuk është papërcaktim strategjik. Përgjigjja jonë është qartësi. Por, qartësia në aleanca nuk do të thotë t’ia kthesh shpinën botës. Përkundrazi. Pikërisht një shtet që është i sigurt në përcaktimet e veta demokratike dhe strategjike mund të bisedojë dhe të bashkëpunojë me vetëbesim më të madh me vende që kanë histori të ndryshme, interesa të ndryshme dhe pikëpamje të ndryshme politike.

Botës sot nuk i duhet edhe një ndarje tjetër në kampe të përhershme. Asaj i duhet një konkurrencë që ka kufij dhe rregulla të cilat të gjithë do t’i respektojnë. Aleanca të cilat marrin përgjegjësi. Dhe institucione ndërkombëtare që mbeten hapësirë për bisedime pikërisht atëherë kur bisedimi është e vështirë për t’u zhvilluar.

Kjo është arsyeja pse Kombet e Bashkuara janë të rëndësishme. Jo sepse mund të zgjidhin çdo konflikt. Është evidente se nuk munden. Jo sepse çdo rezolutë respektohet. Është evidente se nuk respektohet.

Por kjo nuk duhet të na dekurajojë. Duhet ta forcojë vendosmërinë tonë që t’i mbrojmë këto Kombe të Bashkuara dhe rregullat e tyre, dhe të angazhohemi për një multilateralizëm të bazuar në vlera, respekt dhe rregulla. Sepse një botë pa një vend ku të gjitha shtetet, pavarësisht madhësisë së tyre, ulen nën të njëjtën çati dhe thirren në të njëjtat parime, do të ishte edhe më e rrezikshme se bota që shohim sot.

Në vitin 1954, Dag Hamarsheld kujtoi një mendim: Kombet e Bashkuara nuk u krijuan për të na çuar në parajsë, por për të na shpëtuar nga feri. Shtatë dekada më vonë, ia vlen ta kuptojmë thelbin e asaj deklarate.

Nga Kombet e Bashkuara nuk duhet të kërkojë përsosmëri. Duhet të kërkojë relevancë. Të kenë aftësi për parandalim dhe ndërmjetësim. Aftësi për të mbrojtur dinjitetin njerëzor. Dhe në fund, aftësi që parimet të vlejnë edhe atëherë kur zbatimi i tyre nuk na konvenon politikisht.

Sot besimi në sistemin ndërkombëtar është I rrezikuar pikërisht sepse shumë njerëz me të drejtë kanë ndjenjën se rregullat nuk vlejnë në mënyrë të barabartë për të gjithë.

Se ndonjëherë fuqisë i jepet përparësi përpara parimit. Se detyrimet e ndërmarra janë kusht. Se marrëveshjet zgjasin aq sa interesat janë të njejta. Për shtetet e vogla, kjo është një botë veçanërisht e rrezikshme.

Dhe, pa dashur të tingëlloj si dikush që jep mësime, nëse dikush dëshiron të shohë një shembull të një vendi që shumë herë ka hequr dorë nga diçka që natyrshëm i takon si një e drejtë themelore – diçka që shumëkush e merr si të mirëqenë – mjafton të shikojë historinë më të re të kombit tim.

Një histori e shënuar nga sfida, nga rreziqe të sigurisë me përmasa rajonale, nga kompromise dhe lëshime të vazhdueshme të bëra në emër të paqes, bashkëpunimit dhe synimeve më të larta të integrimit – shpesh me çmimin e ndjenjës sonë më themelore për dinjitetin dhe drejtësinë.

Kemi marrë vendime vërtet të vështira. Kemi vazhduar përpara edhe atëherë kur proceset kanë zgjatur më shumë sesa një gjeneratë qytetarësh mund të priste në mënyrë të arsyeshme.

Por pikërisht për këtë arsye, duke i parë ato vendime me distancë kohore dhe me vetëdije të qartë për realitetin, sot mund të them me përgjegjësi se besimi nuk mund të jetë pafundësisht një detyrim i njëanshëm.

Nëse nga shtetet e vogla pritet që t’i respektojnë rregullat, atëherë rregullat duhet t’u sigurojnë edhe atyre parashikueshmëri. Nëse nga kandidatët për anëtarësim në një organizatë kërkohet të përmbushin kritere të caktuara, atëherë përmbushja e këtyre kritereve duhet të çojë drejt përparimit. Nëse nga qytetarët kërkojmë t’u besojnë institucioneve, atëherë institucionet duhet të tregojnë se fjala e tyre ka vlerë dhe se detyrimet e ndërmarra janë të qëndrueshme.

Rregulli që vlen sot nuk mund të jetë ndryshe nesër vetëm sepse ka ndryshuar raporti i forcave. Dhe një detyrim i ndërmarrë nuk mund të jetë një leverdi e përkohshme politike. Ai duhet të jetë bazë mbi të cilën njerëzit do të mund ta planifikojnë të ardhmen e tyre.

Nga qytetarët tanë kërkojmë të besojnë në bashkëpunimin, në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, në kompromisin dhe në respektin e ndërsjellë.

U themi se paqja e qëndrueshme vlen më shumë se një fitore politike afatshkurtër, se respektimi i marrëveshjeve është shenjë e forcës dhe mençurisë, se kjo është rruga e drejtë dhe jo shenjë dobësie, se integrimi evropian dhe euroatlantik nënkupton pranimin e rregullave që vlejnë njësoj për të gjithë.

Por ky argument bëhet shumë më i vështirë për t’u mbrojtur kur qytetarët shohin se në marrëdhëniet ndërkombëtare parimi ndonjëherë i lë vendin fuqisë, se kriteret mund të ndryshojnë ndërkohë që procesi tashmë ka filluar, ose se nga disa pritet konsistencë të cilën të tjerët nuk ia kërkojnë gjithmonë vetes.

Nuk mund t’u themi njerëzve „Besojuni rregullave“, kur ata shohin se rregullat nuk vlejnë njësoj për të gjithë. Nuk mund t’i bindim se kompromisi është virtyt, nëse çdo kompromis sjell një kërkesë të re. Dhe nuk mund të presim besim në institucionet ndërkombëtare nëse qytetarët fillojnë të besojnë se fatin e tyre më shpesh e përcakton pesha politike e shtetit të tyre sesa fuqia e parimit të pranuar bashkërisht.

Kjo është çështje legjitimiteti.

Sepse autoriteti ynë si liderë të zgjedhur nuk buron nga vetë funksioni. Ai buron nga njerëzit që na zgjedhin, që kërkojnë prej nesh përgjegjësi dhe që çdo ditë e krahasojnë atë që u themi me atë që shohin.

Ndërsa sot ata shohin më shumë se kurrë më parë.

Jetojmë në një kohë në të cilën informacioni e formëson botën për disa sekonda. Asnjëherë më parë njerëzimi nuk ka pasur qasje në kaq shumë dije. Por asnjëherë më parë nuk ka qenë i ekspozuar ndaj kaq shumë manipulimeve, gjysmë të vërtetash, imazhesh të fabrikuara, propagande dhe dezinformimi të organizuar.

Pikërisht për këtë arsye, politika hyn në një epokë të re, më të vështirë dhe më të ndërlikuar.

Detyra jonë nuk është më vetëm t’i informojmë qytetarët. Ne duhet ta meritojmë besimin e tyre.

Nuk mjafton t’u themi se çfarë është e vërteta. Duhet të ndërtojmë institucione të cilave do të mund t’u besojnë edhe kur e vërteta është e pakëndshme për të gjithë. Nuk mjafton t’u flasim për vlera. Duhet të tregojmë se ato vlera kanë rëndësi dhe se mbrojtja e tyre ka një çmim – edhe atëherë kur kjo kërkon durim, kapital politik ose zgjedhjen e rrugës më të vështirë.

Jemi të thirrur t’i bindim shoqëritë tona se bashkëpunimi është më i mirë se izolimi, se sundimi i ligjit është më i mirë se veprimi i njëanshëm, se kompromisi është më i mirë se konflikti dhe se institucionet janë më të mira se sundimi i forcës së zhveshur.

Por që kjo bindje të ketë peshë, edhe ne vetë duhet të jemi konsistentë.

Vlerat nuk ruhen me fjalime. Ato ruhen kur mbrohen pikërisht në momentin kur është më e lehtë të braktisen.

Dhe kjo ndoshta është sfida më e madhe e kohës sonë.

Bota po ndryshon me një shpejtësi të jashtëzakonshme. Qendrat e fuqisë po zhvendosen. Teknologjia po ndryshon. Marrëdhëniet ekonomike po ndryshojnë. Doktrinat e sigurisë po ndryshojnë. Aleancat po ndryshojnë. Historia po përshpejtohet sërish.

Në periudha të tilla, gjithmonë ekziston tundimi të shpallet se parimet e vjetra nuk janë më praktike, se e drejta duhet t’i përshtatet fuqisë, se vlerat janë një luks që mund të presin derisa të kalojë kriza.

Por pikërisht atëherë ato na nevojiten më së shumti.

Sepse nëse në kohë ndryshimesh heqim dorë nga rregullat që na kanë mbrojtur në kohë stabiliteti, nuk do të fitojmë më shumë liri. Do të trashëgojmë një botë në të cilën çdo vendim i ardhshëm do të varet nga ai që ka më shumë fuqi në një moment të caktuar.

Dhe një botë e tillë është veçanërisht e rrezikshme për shtetet e vogla.

Prandaj detyra jonë si liderë nuk është t’u premtojmë popujve tanë një botë pa padrejtësi, pa zhgënjime dhe pa interesa të kundërta. Një botë e tillë nuk ekziston.

Detyra jonë është shumë më e vështirë.

Ta ruajmë besimin te rregullat edhe kur është e qartë se ato shkelen. Ta mbrojmë bashkëpunimin edhe kur përplasja duket më popullore. Ta ruajmë besimin në institucione, jo duke u kërkuar njerëzve të shohin me më pak vëmendje ose të bëjnë më pak pyetje, por duke i bërë institucionet më të denja dhe ta ruajnë besimin e tyre.

Dhe të mos lejojmë që zhgënjimi nga papërsosmëritë e rendit ndërkombëtar të na çojë drejt diçkaje shumë më të keqe, një bote ku nuk ekziston fare rendi.

Kjo, sipas meje, është një nga përgjegjësitë më të mëdha politike dhe morale të brezit tonë.

Kjo vlen për sistemin ndërkombëtar. Dhe vlen edhe për Evropën.

Nuk do të heqim dorë nga ideja evropiane vetëm sepse rruga evropiane ka qenë e vështirë. Bashkimi Evropian për ne mbetet shtëpia jonë e natyrshme politike, ekonomike dhe institucionale.

Por kemi punë për të bërë edhe në shtëpi. Duhet ta forcojmë sundimin e ligjit. Të ndërtojmë institucione më efikase. Të ndërtojmë një ekonomi më konkurruese. Dhe ta forcojmë besimin e qytetarëve në shtetin e tyre.

Kjo është përgjegjësia jonë dhe nuk do t’ia kalojmë Brukselit.

Në të njëjtën kohë, presim që integrimi evropian të mbetet një proces i bazuar në merita dhe kritere të matshme, dhe jo një proces në të cilin çështjet bilaterale mund ta zhvendosin vazhdimisht qëllimin.

Ne nuk kërkojmë rrugë më të lehtë. Kërkojmë një rrugë të rregulluar me rregulla. Nuk kërkojmë standarde më të ulëta. Kërkojmë që standardet të mbeten standarde.

Kjo është po aq e rëndësishme edhe për kredibilitetin e Evropës, në një kohë kur pesha e saj gjeopolitike gjithnjë e më shumë do të varet nga aftësia për t’i shndërruar zotimet e saj në rezultate konkrete politike, nga vendosmëria për t’i mbrojtur vlerat për të cilat angazhohet dhe të mbetet këmbëngulëse në avancimin e tyre, pavarësisht sfidave të shumta me të cilat përballet.

Shkëlqesitë Tuaja,

Rendi i ardhshëm ndërkombëtar nuk do të formësohet vetëm në fushëbeteja ose në sallat diplomatike. Ai do të formësohet edhe në laboratorë. Në shkolla. Në fabrika. Në rrjetet energjetike. Në data qendrat.

Dhe në aftësinë e shoqërive për t’i kuptuar ndryshimet që sjell teknologjia.

Inteligjenca artificiale nuk është më temë e së ardhmes. Ajo është infrastrukturë e së tashmes.

Sot bota po e njeh sërish vlerën e qëndrueshmërisë. Të energjisë së sigurt. Të infrastrukturës. Të rrugëve të ndryshme të transportit. Të zinxhirëve të afërt dhe të besueshëm të furnizimit.

Për ne, zhvillimi intensiv i Korridoreve VIII dhe X është pjesë e një vizioni më të gjerë evropian, të lidhen më mirë Deti Adriatik, Deti i Zi dhe Deti Egje me Evropën Qendrore, t’u sigurohen mallrave, energjisë dhe njerëzve më shumë rrugë dhe lidhshmëri më e mirë dhe rajoni të bëhet i ndërlidhur në aspektin infrastrukturor, në vend që të mbetet në periferi të gjeopolitikës.

Gjeografia jonë nuk duhet të jetë fati ynë.

Ajo mund të bëhet avantazhi ynë nëse ndërtojmë institucionet dhe infrastrukturën që do ta shndërrojnë pozitën tonë gjeografike në lidhshmëri.

Në të njëjtën kohë, duhet t’i qasemi ndryshe edhe migracionit.

Migracioni fillon aty ku nuk ka siguri, punësim, arsim, qasje në ujë, perspektivë ose besim se dita e nesërme do të jetë më e mirë se e sotmja. Ai nuk është vetëm çështje kufijsh. Një politikë e përgjegjshme duhet të ndërlidhë sigurinë, dinjitetin njerëzor, zhvillimin dhe nevojat reale të tregjeve të punës.

Edhe politika klimatike do të duhet të mbështetet më fuqishëm te realiteti.

Tranzicioni i gjelbër është i domosdoshëm.

Por nëse e bëjmë atë të paqëndrueshëm nga pikëpamja sociale, do ta humbasim mbështetjen politike të nevojshme për zbatimin e tij. Nëse e bëjmë teknologjikisht të varur nga një numër i kufizuar burimesh, do të krijojmë sfida të reja ndërsa zgjidhim ato të vjetrat. Nëse presim që vendet më të varfra të ecin me të njëjtin ritëm, pa u siguruar qasje të barabartë në kapital dhe teknologji, do të krijojmë padrejtësi në vend të tranzicionit.

Prandaj, politika klimatike e së ardhmes duhet të jetë njëkohësisht politikë ekologjike, ekonomike dhe sociale.

Zoti President,

E gjithë kjo na rikthen te tema qendrore e këtij sesioni, besimi.

Besimi nuk është një ndjenjë që mund të krijohet me miratimin e një rezolute. Ai është rezultat. Ndërtohet kur institucioni e përmbush qëllimin për të cilin është themeluar.

Prandaj, reforma e Kombeve të Bashkuara është e domosdoshme. Që Organizata të bëhet më e aftë. Që të arrijë rezultate më të mira. Dhe, sigurisht, jo për ta zëvendësuar përgjegjësinë e shteteve kombëtare, por për të vepruar aty ku nevojitet veprim i përbashkët.

Multilateralizmi nuk fillon në Nju Jork. Ai fillon me cilësinë e shteteve që vijnë në Nju Jork.

Shkëlqesitë Tuaja,

Ne jemi një vend i vogël. Por refuzojmë që madhësia e territorit tonë të përcaktojë përmasën e ambicies sonë.

Ambicia jonë është të bëhemi një shtet serioz. Një shtet të cilit aleatët e tij mund t’i besojnë. Një shtet në të cilin të rinjtë mund ta planifikojnë të ardhmen e tyre. Një shtet që respekton diversitetin dhe karakterin multikulturor të shoqërisë së vet. Një shtet mjaftueshëm i sigurt në vetvete për ta mbrojtur identitetin e tij, pa e mohuar identitetin e të tjerëve. Një shtet që e njeh historinë e vet, por nuk është i robëruar prej saj. Dhe një shtet që nuk pret nga të tjerët ta ndërtojnë në vend të tij.

Për mua, ky është sovraniteti bashkëkohor. Jo izolim, por aftësi.

Këtë vit, Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guteresh na kujtoi se Karta fillon me fjalët „Ne, popujt“. Dhe shtoi „Jo ne, të fuqishmit. Jo ne, fitimtarët“.

Në këto pak fjalë qëndron arsyeja pse një vend i vogël evropian vazhdon të besojë në këtë Organizatë, edhe kur është i zhgënjyer prej saj.

Sepse alternativa e një bote të udhëhequr sipas rregullave nuk është një botë në të cilën të gjithë janë të lirë. Është një botë në të cilën më të fuqishmit janë më të lirë. Ndërsa të gjithë të tjerët varen nga vullneti i mirë i tyre.

Një botë e tillë mund të duket për një çast efikase. Por nuk është kurrë e qëndrueshme.

Rreth tri dekada më parë, Kombet e Bashkuara erdhën në vendin tonë me një ide të re se bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të presë që dhuna të fillojë përpara se të veprojë.

Sot, na nevojitet sërish e njëjta urtësi politike.

Nuk duhet të presim që teknologjia të krijojë pabarazi të reja përpara se të vendosim rregulla. Nuk duhet të presim që të rinjtë të largohen përpara se të ndërtojmë shoqëri në të cilat ata do të shohin një të ardhme për të cilën ia vlen të qëndrojnë. Nuk duhet të presim që institucionet ta humbasin të gjithë besimin e opinionit përpara se t’i reformojmë.

Dhe nuk duhet të presim që bota të ndahet plotësisht në blloqe të kundërta përpara se ta rizbulojmë vlerën e dialogut.

Ai fëmijë me të cilin e nisa fjalimin tim do të jetë katërmbëdhjetë vjet më i madh kur bota të hyjë në vitin 2040.

Askush prej nesh sot nuk mund t’i premtojë atij fëmije një botë paqësore. As një botë pa kriza. As një botë pa konkurrencë.

Por mund t’i lëmë diçka tjetër.

Një botë në të cilën fuqia nuk është argumenti i vetëm. Një botë në të cilën dija nuk është privilegj i një pakice. Një botë në të cilën aleancat krijojnë siguri, në vend të linjave të reja të frikës. Një botë në të cilën teknologjia i shërben njerëzimit. Dhe një botë në të cilën një shtet i vogël ka të drejtë për të njëjtin dinjitet, për të njëjtat rregulla dhe për të njëjtin zë si një fuqi e madhe.

Ky është premtimi që ia vlen të ripërtërihet.

Jo sepse jemi naivë përballë botës ashtu siç është. Por sepse jemi mjaft realistë për të kuptuar se çfarë ndodh kur bota i lihet vetëm fuqisë.

Maqedonasit dhe qytetarët maqedonas do të marrin përsipër pjesën e tyre të përgjegjësisë.

Ju faleminderit.

 

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume