Andriy Shevchenko thotë se paqja në Ukrainë është dëshira e tij më e madhe për ditëlindjen e 50-të, ka shpjeguar pse e mori përsëri trofeun e Topit të Artë nga muzeu i Milanit dhe u ka bërë thirrje tifozëve italianë të qëndrojnë të qetë sa i përket kombëtares: “Thjesht duhet të ndryshoni disa gjëra dhe të filloni nga e para, i keni njerëzit e duhur për ta bërë këtë”.

Shevchenko do të mbushë 50 vjeç këtë javë dhe para kësaj ditëlindjeje të veçantë, ai ka dhënë një intervistë të gjerë për “La Gazzetta dello Sport”, duke folur për gjithçka që lidhet me Ukrainën, Milanin dhe Italinë.

Shevchenko, i cili e fitoi Topin e Artë dhe Ligën e Kampionëve me Milanin, përpara se të drejtonte kombëtaren e tij për pesë vjet, është president i Federatës së Futbollit të Ukrainës që nga janari i vitit 2024.

I konsideruar gjerësisht si futbollisti më i madh ukrainas i të gjitha kohërave, Shevchenko këmbëngul se tashmë nuk e konsideron më veten “hero” në vendlindjen e tij.

“Jo, tani kemi ‘simbole’ të ndryshme. Tani është koha për heronjtë e vërtetë, ata që e mbrojnë vendin si pjesë e rezistencës”, i tha Shevchenko “La Gazzetta dello Sport”.

“E kam parë guximin e tyre gjatë pesë viteve të fundit. Nuk mund t’i krahasojmë me punët që bëjmë ne. Duhet të përpiqemi t’u japim atyre pak lehtësim, diçka për t’i bërë të buzëqeshin, sepse ata i shikojnë ndeshjet dhe e di se janë të lumtur kur luajnë mirë”, shtoi ai.

Duke rikthyer kujtimet nga karriera e tij si futbollist, Shevchenko kujtoi disa nga momentet më përcaktuese.

“Ende e mbaj mend shumë mirë ditën kur u grumbullova për ndeshjet e të rinjve të Dynamo Kyiv. Gjithashtu kur luajta ndeshjet e para në Champions kundër Barcelonës, Realit, Bayernit. Pastaj edhe transferimin te Milani dhe sezonet e mrekullueshme që patëm, Championsin që e fituam. Kishte edhe momente të tjera të jashtëzakonshme, si kualifikimi i Ukrainës në Kupën e Botës për herë të parë, ndeshjet me Chelsean dhe fitimi i FA Cup. Organizimi i EURO-s në Ukrainë. Dhe Topi i Artë, ukrainasi i tretë që e fitoi, një burim krenarie të madhe”, tha ai.

Shevchenko u pyet nëse e mban trofeun e Topit të Artë mbi oxhakun në dhomën e tij të ndenjes.

Ai tha: “Tani e kam përsëri, për një kohë të gjatë ishte në muzeun e Milanit, pastaj e solla në Ukrainë. Së bashku me Blochinin dhe Belanovin, organizuam një turne të quajtur ‘i katërti mund të jetë i yti’. Ishte një mënyrë për të motivuar gjeneratën e re në këto kohë të vështira, për të treguar krenarinë tonë për të kaluarën dhe për të ditur se kemi një të ardhme përpara”.

Në maj, Shevchenko dhe Federata e Futbollit të Ukrainës emëruan një italian si trajner të kombëtares: Andrea Maldera, i cili më parë kishte punuar për pesë vjet si ndihmës i Shevchenkos te kombëtarja e Ukrainës, përpara se të punonte me Roberto De Zerbin te Brightoni dhe Marseille.

“Andrea ishte pjesë e stafit tim, ai e njeh mirë vendin”, tha Shevchenko.

“Ai ka punuar edhe jashtë vendit me De Zerbin, por gjithmonë ka qëndruar i vëmendshëm ndaj asaj që po ndodh në Ukrainë”, shtoi ai.

Pra, si duket një ditë në jetën e Andriy Shevchenkos në moshën 50-vjeçare?

“Ka qenë e njëjtë për tre vjet”, thotë ai.

“Gjithmonë bëj një zhytje në ujë të ftohtë kur zgjohem, ose notoj në det – duhet të jetë katër ose pesë gradë. Pas kësaj, 45 minuta ushtrime. Bëj rutinat e mia dhe më pas shkoj në zyrë ose lidhem në video-thirrje. Nëse jam në Ukrainë, luaj padel. Nëse jam në Angli, luaj golf. Nuk më mungon kurrë sporti. Shkoj të fle rreth orës 23:30 dhe zgjohem rreth orës 07:15. Nuk ha shumë mish, ndoshta një ose dy herë në javë. Ha më shumë sallata, peshk, pak më pak makarona, por ende ha ndonjëherë, sepse ai zakon italian ka mbetur me mua. Pesha ime ka mbetur e njëjtë që kur isha 30 vjeç, gjithmonë 84 ose 85 kilogramë. Përpiqem të lexoj pak më shumë dhe në gjuhë të ndryshme. Siç mund ta kuptoni, e kam humbur një pjesë të mirë të italishtes sime. Dua të qëndroj i lidhur me botën. Sapo zgjohem, lexoj lajmet nga Ukraina. Vazhdoj të kaloj kohë edhe me familjen time, që është gjëja më e rëndësishme”, zbuloi ai.

Dhe cilat janë gjërat më të rëndësishme në jetën e Shevchenkos?

“Nëse flas për personin, atëherë janë familja ime dhe puna ime bamirëse. Nëse flasim për futbollin, janë klubet ku kam luajtur dhe kombëtarja. Jam i lidhur me Dynamo Kyiv për shumë arsye, Milani ishte momenti im më i mirë, por gjithashtu pata shumë ndjenja të bukura te Chelsea. Dhe pastaj është edhe Ukraina”, u shpreh ai.

Çfarë mendon Shevchenko për situatën aktuale te Milani?

“Milani është gjithmonë në zemrën time dhe gjithmonë do të jem tifoz i tij”, tha ai. “Edhe Italia është gjithmonë në zemrën time, është shtëpia ime e dytë. Nuk po e them këtë për t’i bërë qejfin askujt, është e vërtetë”, vazhdoi ish-sulmuesi ukrainas.

Po kombëtarja e Italisë?

“Nuk do të ankohesha shumë. Do ta kaloni këtë periudhë”, këshilloi ai.

“Vlerësojeni historinë tuaj dhe pranoni se atje ka shumë talent, thjesht duhet të ndryshoni disa gjëra dhe të filloni nga e para. I keni edhe njerëzit e duhur për ta bërë këtë”, vazhdoi ai tutje.

Dhe nëse Shevchenko do të kishte vetëm një dëshirë për ditëlindjen e tij, ajo do të ishte: “Paqe”.

Ai shtoi: “Dua që njerëzit në vendin tim të jenë në gjendje të jetojnë në paqe sa më shpejt të jetë e mundur. Në futboll, sfida ime është të bëj gjithçka për gjeneratat e ardhshme. Sfida ime tjetër është të jem pranë familjes sime dhe të jem një baba i mirë”.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume