Edhe pse objektivi kryesor i Barcelonës këtë javë do të jetë ta mposhtë Real Madridin në “El Clásicon” e parë të sezonit, katalunasit kanë arsye të mira për të qenë edhe më të emocionuar për ceremoninë e Topit të Artë të së hënës.
Para ceremonisë gala në Londër, shumëkush pret që Barcelona të dominojë mbrëmjen, me Lamine Yamal që shihet gjerësisht si favoriti kryesor për ta fituar Topin e Artë, përpara Harry Kane, Kylian Mbappe dhe Rodrit.
Barcelona është gjithashtu në garë për të fituar edhe çmime të tjera në këtë ceremoni, prandaj mund të shohim një delegacion të madh të klubit në Londër.
Siç raporton “Diario SPORT”, Barcelona do të dërgojë një përfaqësi të konsiderueshme në Londër për edicionin e 70-të të ceremonisë së Topit të Artë, të udhëhequr nga presidenti Joan Laporta.
Delegacioni do të udhëtojë së bashku drejt kryeqytetit anglez, bashkë me të gjithë të nominuarit e klubit në kategoritë e ndryshme të çmimeve.
Në mesin e futbollistëve janë Lamine Yamal, Pau Cubarsi, Rodri dhe Joan Garcia, si dhe një grup i madh nga ekipi i femrave, ku bëjnë pjesë Cata Coll, Esmee Brugts, Patri Guijarro, Caroline Graham Hansen, Claudia Pina, Ewa Pajor, Clara Serrajordi dhe trajneri Pere Romeu.
Në aspektin institucional, Laportën do ta shoqërojnë zëvendëspresidentët Rafa Yuste dhe Elena Fort, drejtuesit Xavi Puig dhe Xavier Barniol, si dhe figura të rëndësishme sportive, përfshirë Deco dhe Bojan Krkic.
Ndërkohë, Lamine do të udhëtojë veçmas, pasi ka marrë me qira një aeroplan privat për prindërit, partneren, familjen, miqtë dhe anëtarët e ekipit të tij.
Ceremonia e këtij viti ka një rëndësi të veçantë, pasi për herë të parë do të mbahet jashtë Parisit.
Organizatorët kanë zgjedhur kryeqytetin britanik për të nderuar Stanley Matthewsin, fituesin e Topit të parë të Artë në vitin 1956.
Teatri “London Palladium” do ta presë këtë ngjarje, e cila do të nisë në orën 21:00 dhe pritet të përfundojë rreth orës 23:00.
Ceremonia do të drejtohet nga dy fytyra të njohura: ish-sulmuesi i Barcelonës, Thierry Henry, dhe gazetarja britanike Kate Scott, të cilët janë pjesë e mbulimit të Ligës së Kampionëve nga “CBS”.
Organizatorët premtojnë gjithashtu një mbrëmje plot surpriza dhe performanca muzikore. Këngëtarja britanike Jorja Smith do ta hapë ceremoninë me këngën “Blue Lights”, përpara një performance nga reperi French Montana.
Pa dyshim, kjo premton të jetë një mbrëmje e paharrueshme për Barcelonën.