LAICITETI ME DY STANDARDE: KUR FEJA BËHET VLERË PËR NJËRIN DHE PROBLEM PËR TJETRIN
Bashkim Aliu
Në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, pati edhe teologë myslimanë që kandiduan për deputetë. Ky kandidim nxiti disa komentatorë në studiot televizive të kritikonin kandidimin e teologëve myslimanë për deputetë, me pretekstin se Kosova është shtet laik dhe se, për rrjedhojë, nuk ka vend për teologë në politikë.
Në këtë drejtim ka qenë i zëshëm edhe Sadri Ramabaja, i cili, në komentet e tij në studion e TV Dukagjinit, në emisionin Debat Plus, ka kritikuar faktin që një hoxhë, si Osman Musliu, kandidon për deputet, duke e cilësuar këtë si një formë të koketimit politik të politikanëve me “Bashkësinë Islame”.
Nga ana tjetër, i njëjti komentator, në një postim të tij në Facebook, e ka theksuar përkatësinë katolike të presidentes së sapozgjedhur të Kosovës, znj. Justina Shiroka Pula . Përtej kësaj, ai e ka vlerësuar si një akt historik faktin që teologu ortodoks Theofan Stilian Noli, kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, ishte kryeministër i Shqipërisë në vitin 1924. Po ashtu, e ka konsideruar zgjedhjen e znj. Justina Shiroka Pula si një akt përmes të cilit kombi shqiptar shkruan histori, pasi ajo është pjesëtare e komunitetit katolik shqiptar.
Është e çuditshme mënyra selektive se si po përdoret argumenti i përkatësisë fetare nga Sadri Ramabaja.
Nëse, për një figurë me kualifikim teologjik islam, si Osman Musliu, profesioni dhe formimi i tij teologjik konsiderohen problem dhe kjo argumentohet me parimin se Kosova është shtet laik, atëherë i njëjti standard duhet të vlejë për teologët e të gjitha komuniteteve fetare, madje edhe për të gjitha përkatësitë fetare. Përndryshe, vlerësime të tilla janë të pasakta dhe nuk përkojnë me parimin e laicitetit.
Shteti laik nuk do të thotë që një qytetar duhet ta fshehë fenë e tij dhe se një teolog i kualifikuar nuk mund të kandidojë për një pozitë politike si qytetar i shtetit përkatës në përputhje me kushtetutën, por se shteti nuk favorizon dhe nuk diskriminon asnjë fe. Prandaj, nuk mund të thuhet në një rast se “feja nuk ka vend në politikë”, ndërsa në rastin tjetër të konsiderohet si diçka me rëndësi pozitive dhe si një element që “shkruan histori” fakti që një presidente është katolike.
Nëse përkatësia katolike e presidentes së re të Kosovës dhe formimi teologjik ortodoks i një kryeministri të Shqipërisë paraqiten si elemente me rëndësi për të kuptuar figurën dhe rolin e tyre publik, atëherë pse formimi teologjik dhe përkatësia islame e një kandidati për deputet duhet të shihen si arsye për ta kontestuar praninë e tij në politikë? Këtu nuk shtrohet çështja se cila fe është më e mirë apo më e përshtatshme për politikën. Çështja është standardi që përdoret.
Nëse jeni vërtet për një shtet laik, atëherë kriteri duhet të jetë i njëjtë për të gjithë: as katolicizmi nuk duhet të jetë avantazh politik, as islami nuk duhet të jetë disavantazh politik.
Përndryshe, nuk po mbrohet laiciteti; po përdoret parimi i laicitetit në mënyrë selektive, varësisht se për cilën përkatësi fetare bëhet fjalë.
Dhe pikërisht këtu qëndron pyetja për Ramabajën: A është formimi teologjik dhe përkatësia fetare i parëndësishëm në politikë, apo bëhet i rëndësishëm vetëm në raste të caktuara?