Çmimet mesatare të veturave të reja dhe të përdorura në Zvicër kanë shënuar rënie. Ndër faktorët kryesorë është konkurrenca në rritje nga prodhuesit kinezë, të cilët ofrojnë modele me çmime më të ulëta.

Çmimet e veturave në Zvicër kanë vazhduar të bien edhe gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, si në tregun e veturave të reja, ashtu edhe në atë të përdorura.

Sipas një analize të tregut të publikuar më 14 tetor nga AutoScout24, një prej platformave kryesore për shitjen e veturave në Zvicër, çmimet mesatare të kërkuara për veturat e reja të publikuara në platformë kanë rënë për 2,6 për qind krahasuar me tremujorin e dytë, ndërsa rënia vjetore ka arritur në 5,8 për qind.

Tendenca e njëjtë është vërejtur edhe në tregun e veturave të përdorura. Çmimet mesatare në këtë kategori kanë rënë për 0,8 për qind në krahasim me tremujorin paraprak dhe për 4,3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Rënia më e madhe te veturat me benzinë dhe hibridet plug-in

Rëniet më të theksuara janë regjistruar në disa kategori të veturave të reja. Çmimet e veturave me benzinë kanë rënë për 4,4 për qind në krahasim me tremujorin paraprak dhe për 4,9 për qind në nivel vjetor.

Rënie edhe më e madhe është shënuar te veturat e reja hibride plug-in, çmimet e të cilave kanë rënë për 16 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ndërkohë, veturat elektrike të përdorura kanë shënuar një rritje të lehtë të çmimeve, prej 1,5 për qind, krahasuar me periudhën prill–qershor. Megjithatë, në nivel vjetor, çmimet e tyre vazhdojnë të jenë në rënie, me 1,4 për qind.

Prodhuesit kinezë po rrisin konkurrencën

Rënia e çmimeve është pjesë e një tendence që ka kohë që është shfaqur në tregun zviceran. Që në pranverë, AutoScout24, platformë në pronësi të Swiss Marketplace Group (SMG), kishte vënë në pah praninë gjithnjë e më të madhe të prodhuesve kinezë, të cilët ofrojnë vetura me çmime më konkurruese.

Përveç çmimeve më të ulëta, interesimin për këto marka po e shtyjnë përpara edhe përparimet teknologjike dhe ritmi i shpejtë i inovacionit.

Rritet numri i veturave të shpallura për shitje

Gjatë tremujorit të tretë, numri i veturave të shpallura për shitje në AutoScout24 është rritur për 0,7 për qind krahasuar me tremujorin paraprak dhe për 2,6 për qind në nivel vjetor.

Kjo rritje i atribuohet kryesisht tregut të veturave të përdorura, ku numri i shpalljeve është rritur përkatësisht për 0,9 dhe 2,5 për qind.

Në kategorinë e veturave të reja, numri i shpalljeve ka rënë për 0,8 për qind në krahasim me tremujorin paraprak, por është rritur për 3,9 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar./Albinfo

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume