Drejtoria e Doganave, me përvojën e Kroacisë, harton rregulloren e re doganore për t’u afruar edhe një hap më shumë drejt tregut të përbashkët të BE-së
Drejtoria e Doganave, së bashku me ekspertë nga Kroacia, po punon intensivisht për hartimin e akteve të reja nënligjore doganore për zbatimin e Ligjit të ri Doganor. Thelbi i kësaj nisme është përmirësimi i kushteve për ushtrimin e veprimtarisë së biznesit dhe integrimi më i shpejtë në tregun e vetëm të BE-së, përmes krijimit të një sistemi plotësisht të digjitalizuar të punës doganore dhe harmonizimit të plotë me sistemet që përdoren në BE.
Drejtori Boban Nikollovski, së bashku me ekipin e tij, zhvilloi sot një takim me një delegacion të nivelit të lartë nga Drejtoria e Doganave të Kroacisë. Në fokus të takimit ishte hartimi i Rregullores për zbatimin e Ligjit të ri Doganor, teksti-propozim i së cilës ndodhet në fazën përfundimtare.
Nikollovski theksoi se përvoja e Drejtorisë së Doganave të Kroacisë në hartimin e akteve nënligjore doganore, si një vend anëtar i BE-së, është me rëndësi të jashtëzakonshme për shtetin tonë, pasi këto akte do të mundësojnë që Dogana të veprojë si katalizator i ekonomisë.
Hartimi i Rregullores së re po realizohet në kuadër të projektit Tuining të BE-së, me titull „Hartimi i rregulloreve për zbatimin e Kodit Doganor të Bashkimit Evropian (UCC) në Maqedoninë e Veriut“, për të cilin, përmes Bashkimit Evropian, janë siguruar 250 mijë euro.
„Vizioni ynë është i qartë: një Doganë moderne, e digjitalizuar dhe efikase, e cila lehtëson dhe mbështet tregtinë e ligjshme, duke siguruar njëkohësisht mbrojtje të fortë dhe profesionale të kufijve. Kjo është rruga drejt një dogane evropiane – një doganë që krijon kushte për zhvillim ekonomik, forcon besimin te institucionet dhe është e përgatitur për sfidat e ardhshme“, theksoi drejtori Nikollovski.
Nga ana e Doganës së Kroacisë u theksua se vazhdimi i partneritetit pasqyron marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy shteteve, të cilat janë forcuar më tej me Marrëveshjen për Bashkëpunim Strategjik në nivel ndërqeveritar dhe Memorandumin e Bashkëpunimit ndërmjet administratave doganore, të nënshkruar në shtator të këtij viti.
Përvoja e të dy Doganave në zbatimin e projekteve Tuining, si mekanizëm për transferimin e njohurive dhe përvojës, përbën gjithashtu një garanci të fortë për bashkëpunim efikas.
„Objektivat e projektit janë të përqendruara në përmirësimin e proceseve të biznesit dhe procedurave doganore përmes harmonizimit të mëtejshëm të legjislacionit kombëtar me legjislacionin e BE-së, si dhe modernizimit dhe zhvillimit të sistemeve informative doganore të Republikës së Maqedonisë së Veriut“, theksoi Željko Franjić, zëvendësdrejtor i Drejtorisë së Doganave të Republikës së Kroacisë.
Gjatë takimit, theks i veçantë iu kushtua edhe bashkëpunimit operacional ndërmjet dy institucioneve, i cili, siç u theksua, është thelbësor për luftimin e kriminalitetit ndërkombëtar dhe mbrojtjen e kufijve.