Sot në Shkup filloi Kongresi i IV Ndërkombëtar Mjekësor, organizuar nga Parlamenti
Studentor i Fakultetit të Mjekësisë pranë Universitetit „Shën Kirili dhe Metodi“ në Shkup
(UKM). Në hapjen e takimit fjalim mbajti edhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr.
Vesna Janevska, e cila theksoi se në arsimin e lartë, shkencë dhe kërkime shkencore, rëndësi
të veçantë kanë rrjetëzimi ndërkombëtar dhe mobiliteti dhe se kjo është mënyra e vetme për
shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira me botën, si dhe për realizimin e projekteve
të përbashkëta.
„Si Qeveri, kemi qëndrimin se pa shkencë nuk ka zhvillim shoqëror, prandaj, kur para dy
vitesh morëm drejtimin e institucioneve, vendosëm të ndërmarrim masa të rëndësishme që i
dhanë shtysë veprimtarisë shkencore dhe kërkimore në Maqedoni. Brenda dy vitesh, buxhetin
për shkencën e rritëm më shumë se dyfish. Në vitin 2025, financuam rreth 50 projekte
kërkimore-shkencore me interes publik, në vlerë të përgjithshme prej 6 milionë euro, ndërsa,
për profesorët, shkencëtarët dhe studentët tanë siguruam qasje falas në bazat e njohura
globale të të dhënave shkencore – Web of Science dhe Scopus“, theksoi Janevska.
Ministrja theksoi gjithashtu se është veçanërisht e kënaqur me bashkëpunimin e forcuar me
Qendrën e Përbashkët Kërkimore të Komisionit Evropian, e cila ua hapi dyert e laboratorëve
të saj kuadrit shkencor dhe kërkimor nga Maqedonia, ndërsa njëkohësisht , Qendra, nën
patronazhin e saj, ndihmoi që muajin e kaluar në Maqedoni të organizohej shkolla e parë
verore shkencore për vendet e Ballkanit Perëndimor.
„Do të përmend gjithashtu se kemi hartuar kornizë krejtësisht të re ligjore për shkencën dhe
arsimin e lartë. Paketa prej tri ligjesh është në procedurë parlamentare dhe pres që të
miratohet deri në fund të vitit, duke krijuar më shumë dhe mundësi më të mira për profesorët,
shkencëtarët dhe studiuesit tanë. Më shumë mundësi për kuadrin e ri mësimor-shkencor dhe
kërkimor.
Studentët më të mirë, të cilët janë vlerësuar me Unazën e Inxhinierit ose me ndonjë
mirënjohje tjetër për suksesin e tyre, kanë përparësi gjatë punësimit në fakultete“, theksoi
Janevska
Duke u uruar kongres të suksesshëm, ministrja u bëri thirrje profesorëve dhe studentëve që të
vazhdojnë të kontribuojnë në arsim dhe në zhvillimin e mendimit shkencor në fushën e
mjekësisë, duke ndihmuar kështu edhe përpjekjet për përmirësimin e sistemit shëndetësor dhe
të shëndetit të qytetarëve.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume