Janevska në Bruksel: Dyfishuam buxhetin për shkencën, tani synojmë lidhjen me rrjetet globale të kërkimit
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, deklaroi në Bruksel se Maqedonia e Veriut ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për zhvillimin e veprimtarisë shkencore dhe kërkimore, ndërsa tashmë fokusi kryesor është integrimi në rrjetet rajonale dhe globale të kërkimit dhe inovacionit informon Tetovasot.
Duke folur në takimin ministror të Platformës Drejtuese për Kërkim dhe Inovacion për Ballkanin Perëndimor, të organizuar nga Komisioni Evropian, Janevska theksoi se vendi ka kaluar nga iniciativa të izoluara inovative në një ekosistem kombëtar të organizuar mirë.
Ajo bëri të ditur se në një periudhë të shkurtër është dyfishuar buxheti për shkencën, është krijuar një kornizë e re strategjike, janë përgatitur zgjidhje të reja ligjore dhe është modernizuar infrastruktura kombëtare kërkimore percjelle Tetovasot.
Sipas ministres, janë themeluar Këshilli Kombëtar për Inovacion, Sipërmarrësi dhe Zhvillim Teknologjik, si dhe Agjencia për Inovacion, Zhvillim Shkencor-Teknologjik dhe Sipërmarrësi, e cila do të lehtësojë qasjen në financime dhe shërbime për kompanitë, studiuesit dhe inovatorët.
Janevska njoftoi se në vend funksionojnë shtatë qendra për transferim të teknologjisë, pesë inkubatorë teknologjikë dhe një park privat shkencor-teknologjik, ndërsa është duke u themeluar edhe një park virtual shkencor-teknologjik, si dhe parku i parë teknologjik që do të jetë plotësisht nën administrimin e shtetit.
Ajo veçoi edhe projektin VEZILKA, i cili përfaqëson pikën e parë kombëtare të kontaktit në rrjetin evropian të fabrikave të inteligjencës artificiale.
Ministrja theksoi se një nga prioritetet kryesore mbetet ulja e emigrimit të trurit dhe krijimi i kushteve që të rinjtë studiues të ndërtojnë karrierën e tyre në vend.
Në kuadër të vizitës në Bruksel, Janevska mori pjesë edhe në debatet për politikat që mbështesin inovacionin dhe prezantimin e praktikave më të mira në fushën e kërkimit shkencor. Gjatë ditës, ajo pritet të zhvillojë edhe një takim bilateral me komisioneren evropiane për startup-et, kërkimin dhe inovacionin, Ekaterina Zaharieva.


