Nga Komuna e Tetovës ftojnë qytetarët të informohen për ndërtimin e objektit të ri komunal pranë njësisë së zjarrfikësve, duke theksuar se dokumentacioni përkatës është i qasshëm në përputhje me ligjin.

Komuna e Tetovës ka reaguar lidhur me debatet e fundit për ndërtimin e objektit të ri të komunës, duke ftuar të gjithë qytetarët që kanë pyetje, paqartësi apo dilema rreth projektit të drejtohen pranë institucionit për informacione dhe sqarime.

Nga komuna theksojnë se objekti i ri është i nevojshëm për krijimin e kushteve më të mira të punës për të punësuarit, ndërsa nënvizojnë se çdo qytetar mund të kërkojë qasje në dokumentacionin përkatës, në përputhje me ligjin.

„Dyert janë të hapura për secilin që kërkon informacion, sqarime dhe qasje në dokumentacionin përkatës“, thuhet në reagimin e Komunës së Tetovës.

Nga ky institucion u bëjnë thirrje të gjithë atyre që kanë dilema rreth projektit që shqetësimet t’i sqarojnë përmes dokumenteve dhe fakteve. Ndërkaq, në rast se ekzistojnë dëshmi për keqpërdorime të mundshme, komuna fton që ato të paraqiten pranë organeve kompetente.

Sipas komunës, interesi publik kërkon që çdo pretendim të shqyrtohet me përgjegjësi dhe që akuzat të mbështeten në prova.

„Qytetarët meritojnë të dinë si merren vendimet dhe si shpenzohen paratë e tyre. Prandaj, debati duhet t’i shërbejë informimit të tyre dhe të mos përdoret për të krijuar dyshime pa fakte“, thuhet më tej në reagim.

Në fund, nga Komuna e Tetovës theksojnë se transparenca dhe llogaridhënia mbeten detyrime të përditshme ndaj qytetarëve, duke përsëritur se institucioni do të vazhdojë të jetë i hapur për të gjithë ata që kërkojnë informacione lidhur me projektin e objektit të ri komunal.