Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ka folur edhe për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ai ka thënë se Kosova ka bashkëpunuar me Tribunalin e Hagës, institucionet e tjera të OKB-së dhe gjykatat vendore për ndjekjen dhe dënimin e krimeve të luftës, pavarësisht përkatësisë etnike të kryerësve.
Konjufca ka rikujtuar se Dhomat e Specializuara janë themeluar në vitin 2015, me insistimin e aleatëve të Kosovës, pas pretendimeve për krime të rënda nga pjesëtarë të UÇK-së.
Ai ka pretenduar se pretendimet për trafikim organesh, të cilat i ka cilësuar si fabrikime, nuk kanë qenë pjesë e akuzës në aktgjykimin e fundit. Po ashtu, ka shprehur shqetësime për dënimet e shqiptuara, duke thënë se ato, sipas tij, përmbajnë gabime në përmbajtje dhe në vlerësimin e fakteve.
“Drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe duhet të perceptohet e të shihet si e paanshme”, ka deklaruar ai, duke shtuar se Kosova pret që shqetësimet e saj të adresohen në procedurën e apelit.
Në fund, Konjufca ka përmendur edhe rreth 20 mijë viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe ka theksuar se shumë kryerës të krimeve të luftës ende nuk janë ndëshkuar.
“Kosova kërkon drejtësi për secilën viktimë, për secilin krim e për secilin kryerës të këtyre krimeve. Nuk mund të lejojmë barazim të fajësisë thjesht për shkak se dikush deshi ta ndërtonte një narrativë alternative. Plagët e luftës ende janë të freskëta në Kosovë”, ka përfunduar Konjufca.