Një defekt i madh në shërbimet “Google Cloud” në Britani të Madhe shkaktoi sot probleme teknike në disa vende të Evropës, duke prekur klientët e bankave dhe përdoruesit e shërbimeve të tjera online, njoftuan “Google” dhe përdoruesit e prekur.
Problemi preku infrastrukturën teknologjike të “Google” në rajonin e Londrës, duke shkaktuar vështirësi edhe jashtë kufijve të Britanisë së Madhe.
Ndër shërbimet e prekura ishin pagesat digjitale dhe shërbimet e llogarive bankare, përfshirë ato të bankave digjitale “Revolut” dhe ING.
Përdorues në disa vende evropiane raportuan se për një periudhë të caktuar nuk mund të hynin normalisht në aplikacionet bankare ose të kryenin transaksione.
Probleme u shfaqën edhe në shumë faqe interneti dhe aplikacione biznesi që përdorin infrastrukturën kompjuterike të “Google Cloud”.
“Google” konfirmoi problemet teknike në faqen e tij zyrtare të statusit të shërbimeve dhe bëri të ditur se po punonte për zgjidhjen e tyre sa më shpejt të ishte e mundur.
Kompania tha se po analizonte ende përmasat e plota të ndikimit në nivel ndërkombëtar, si dhe shkakun e defektit në zonën e qendrave të të dhënave të “Google” në Londër.