Kosova prin në rritjen ekonomike në rajon, Serbia 6 vende prapa
IndeksOnlineE Premte, 23 Tetor 2026 10:50
Sipas një raporti të Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, Kosova shënoi rritje mesatare vjetore prej 4,1 për qind në periudhën 2012–2025, ndërsa Serbia prej 2,4 për qind.
Kosova ka shënuar rritjen mesatare vjetore më të lartë ekonomike në mesin e nëntë ekonomive të Evropës Juglindore, gjatë periudhës 2012–2025, sipas një raporti të Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (wiiw).
Sipas raportit të hartuar nga ekonomisti Branimir Jovanoviq, rritja mesatare vjetore e ekonomisë së Kosovës gjatë kësaj periudhe ishte 4,1 për qind. Pas saj renditet Shqipëria me 3 për qind, Mali i Zi me 2,9 për qind dhe Rumania me 2,8 për qind.
Bosnjë e Hercegovina regjistroi rritje mesatare prej 2,6 për qind, Kroacia 2,5 për qind, ndërsa Serbia dhe Bullgaria nga 2,4 për qind. Maqedonia e Veriut renditet e fundit, me 2,3 për qind.
Raporti, i titulluar “Ekonomia e Serbisë nën Vuçiqin: Larg të qenit mrekulli”, analizon performancën ekonomike të Serbisë nën qeverisjen e Partisë Përparimtare Serbe (SNS), e cila është në pushtet që nga viti 2012, duke e krahasuar këtë periudhë me vitet 2001–2011 dhe me ekonomitë e tjera të rajonit.
Sipas analizës, ekonomia e Serbisë është rritur mesatarisht me 2,4 për qind në vit gjatë periudhës 2012–2025. Kjo është dukshëm më pak se rritja mesatare prej 4,2 për qind në vit, e regjistruar në periudhën 2001–2011.
Autori vlerëson se, megjithëse në Serbi janë shënuar përmirësime në disa tregues, rezultatet e përgjithshme nuk e mbështesin pretendimin se vendi është një prej kampionëve ekonomikë të rajonit.
Raporti evidenton se papunësia ka rënë, por punësimi ka ngecur që nga viti 2019. Ndërkohë, rritja e pagave është shoqëruar me rritjen e kostos së jetesës, pabarazia ekonomike është thelluar dhe shpenzimet për mbrojtjen sociale kanë rënë.
Pas publikimit të raportit ka reaguar gazetari gjerman i FAZ, Michael Martens i cili publikimin e raportit në këtë kohë e ka lidhur me zgjedhjet në Serbi.
Raporti trajton edhe investimet e huaja direkte në Serbi. Sipas tij, ato kanë përbërë mesatarisht 5,7 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në vit gjatë periudhës 2012–2025, krahasuar me 6,1 për qind në periudhën 2001–2011.
Autori vëren gjithashtu se investimet publike janë rritur ndjeshëm, por janë përqendruar kryesisht në ndërtimin e autostradave. Ndërkohë, tregues të tjerë të infrastrukturës, përfshirë rrjetin hekurudhor, kapacitetet e prodhimit të energjisë elektrike dhe qasjen në ujësjellës e kanalizime, kanë mbetur prapa mesatares së Bashkimit Evropian.
Sipas përfundimit të raportit, performanca ekonomike e Serbisë gjatë viteve të fundit ka qenë më e dobët sesa paraqitet në diskursin politik të vendit./RTK/
Raporti i plotë: https://wiiw.ac.at/p-7728.html