Shërbimet inspektuese kanë zhvilluar dje një aksion të koordinuar në disa lokacione të Shkupit, me ç’rast janë larguar shitësit ambulantë që ushtronin veprimtari të paligjshme në hapësirat publike pranë Qendrës Klinike, Tregut të Gjelbër dhe në lagjen Bunjakovec.
MARKETING
Aksioni u realizua nga Inspektorati i Qytetit të Shkupit, në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Tregut, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, si dhe Inspektoratin e Komunës Qendër.
Sipas njoftimit të Qytetit të Shkupit, kontrollet kanë për qëllim vendosjen e rendit komunal, parandalimin e tregtisë së paligjshme, mbrojtjen e sipërfaqeve publike, si dhe krijimin e kushteve të barabarta për të gjithë tregtarët që veprojnë në përputhje me dispozitat ligjore.
“Nuk do të lejojmë që zonat publike të uzurpohen dhe të përdoren për shitje të paligjshme”, thuhet në reagimin e Qytetit të Shkupit.
Nga ky institucion bëjnë të ditur se kontrollet inspektuese dhe aksionet e koordinuara do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, me synimin për të ruajtur rendin komunal dhe për të siguruar respektimin e ligjeve në të gjithë territorin e qytetit.