Këto janë momente kur gjithçka që nisni fillon të marrë formë dhe përmbajtje.
Dhe vërtet, për mua është kënaqësi që së bashku me kryetarin e komunës, ministren, deputetët, qytetarët dhe këshilltarët e Komunës së Gazi Babës të jemi të pranishëm këtu dhe ta vëmë në funksion këtë objekt, ndërtimin e të cilit e kemi filluar.
Rëndësia e tij është edhe më e madhe, sepse deri para disa vitesh këtu kishte vetëm baraka, të cilat praktikisht kishin mbetur që nga koha e tërmetit, pra prej 50 vjetësh e më shumë. Fëmijët mësonin, do të thosha, në kushte substandarde, ndryshe nga kushtet që mund të shihni sot, të cilat janë vërtet kushte evropiane.
Tani mbetet vetëm që ky objekt të mirëmbahet dhe të ruhet.
Ne vazhdojmë të ndërtojmë edhe më tej. Ajo që po bën kjo Qeveri janë mbi 1,200 projekte që po i realizojmë së bashku me komunat, si rezultat i decentralizimit të mjeteve financiare nga buxheti qendror drejt komunave.
Ky është prioriteti ynë dhe në këtë mënyrë do të vazhdojmë të funksionojmë edhe në të ardhmen si Qeveri.
Falënderim i madh nga ana ime për kryetarin e Komunës së Gazi Babës, për këshilltarët që e mbështesin punën e kryetarit të Komunës, si dhe për deputetët në Kuvendin e Maqedonisë.
Gjithashtu, falënderim i madh për kolegët nga Qeveria, për Ministrinë e Arsimit dhe, mbi të gjitha, për banorët e Çentos dhe të Gazi Babës, të cilët patën durim dhe falë të cilëve sot pata mundësinë të shihja shumë fytyra të lumtura e të gëzuara. Supozoj se një pjesë e madhe e tyre e kanë kryer këtu arsimin e tyre, ndërsa sot janë prindër, fëmijët e të cilëve e ndjekin arsimin fillor në këtë shkollë, në kushte shumë më të mira se ato në të cilat ata vetë e kanë kryer arsimin fillor.
Prandaj, edhe një herë, urime dhe na priftë e mbara, dhe uroj që të inaugurojmë edhe shumë objekte të tilla.
Kanë mbetur edhe disa detaje për t’u përfunduar, si gjelbërimi në pranverë, ndërrimi i rrethojës dhe ndoshta edhe parkingu për të punësuarit, por besoj se edhe këto do të përfundojnë, sepse kam besim në punën e kryetarit të Komunës.”

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume