Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi sot në seancë parlamentare se mbështet projektet e antimonit në Llukë, Kazandoll dhe Ilovica-Shtukë në përgjigje të pyetjes nga lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, ku shpjegoi individualisht procedurat dhe vendimet që lidhen me secilin prej tyre.

Mickoski ka thënë se arbitrazhi për Kazandollin ka përfunduar me fitore për Qeverinë e Maqedonisë dhe se shteti nuk do të ketë asnjë kosto për procedurën, ndërsa për Ilovicë-Shtukë iu referua vendimeve për bashkimin e zonave të koncesionit dhe vendimit të Gjykatës së Lartë Administrative. Kryeministri theksoi se Qeveria nuk do të ndërmarrë asgjë në kundërshtim me interesat e qytetarëve, duke shtuar se nuk po e shet shtetin, por po e kthen atë që shiti qeveria e mëparshme.

“Unë nuk po e shes, unë po e kthej vetëm atë që shitët. Emri, territori për plantacionet e marihuanës, propozimet franceze, ju hoqët dorë nga ajo që i takon vendit. Unë e kthej atë”, ka thënë Mickoski.

Lidhur me minierën e antimonit në Llukë, Mickoski tha se qëndrimi i tij është i njëjtë me qëndrimin e kryetarit të komunës së Kriva Pallankës, të cilin e theksoi se është ndër kryetarët e rrallë të LSDM-së dhe se edhe ai e mbështet projektin.

“Lidhur me minierën e antimonit në Kriva Pallankë, në qytetin Llukë, po, unë jam “pro”. Ashtu siç jam “pro”, është edhe kryetari juaj i komunës. Pikërisht njësoj”, tha Mickoski.

Lidhur me Kazandolin, Mickoski rikujtoi se po zhvillohet procedurë arbitrazhi për shkak të ndërprerjes së marrëveshjes së koncesionit nga qeveria e mëparshme. Ai tha se gjatë procedurës ka pasur dëshmi sipas të cilave qeveria e mëparshme gjoja ishte e gatshme të pajtohej me një shumë të caktuar parash për të humbur çështjen, ku përmendeshin shuma nga 20 deri në 30 milionë dollarë.

“Në atë proces arbitrazhi i cili na u trashëgua, patëm dëshmi nga njerëz që të paktën, thanë se qeveria e mëparshme ishte e gatshme të pajtohet me një shumë të caktuar parash, u përmendën shifra prej 20-30 milionë dollarë për të humbur çështjen në arbitrazh dhe pastaj normalisht individët do të merrnin një shpërblim të caktuar”, ka thënë Mickoski.

Ai theksoi se procedura e arbitrazhit ka përfunduar në favor të Qeverisë së Maqedonisë dhe se kompania ukrainase e cila ka qenë koncesionare dhe ka iniciuar procedurën, duhet t’i paguajë shpenzimet.

“Ai proces arbitrazhi përfundoi me fitoren e Qeverisë së Maqedonisë, madje edhe palës në këtë rast, kompania ukrainase që ishte koncesionare dhe që e filloi atë arbitrazh, duhet t’i paguajë shpenzimet lidhur me arbitrazhin. Shteti do të paguajë zero”, tha kryeministri.

Sipas tij, ky është shembull i siç tha ai, “mirëmbajtjes dhe funksionimit të përgjegjshëm të Qeverisë”.

Lidhur me minierën Ilovicë-Shtukë, Mickoski përkujtoi se projekti ka filluar në kohën e Qeverisë së udhëhequr nga Vllado Buçkovski që ka qenë propozim i LSDM-së. Më pas, siç tha ai, në kohën e qeverisjes së LSDM-së dhe BDI-së, Ministria e Ekonomisë mori vendim për bashkimin e dy zonave koncesionare në zonën ndërmjet Shtukës dhe Ilovicës.

Mickoski më parë e kritikoi Filipçen për retorikën e tij kur bëri pyetjen, duke thënë se ai nuk do t’u përgjigjej atyre që i konsideronte fyerje dhe akuza personale që kreu i LSDM-së i kishte drejtuar dhe se nuk do të binte në atë nivel që t’i përgjigjej.

Ai shtoi se, sipas mendimit të tij, Filipçe është nën presion për shkak të disfatës politike që pret LSDM-në.

“Shtatë vitet e mia ishin të lumtura me dy prindër të mrekullueshëm që më rritën për t’u rritur në një njeri që nuk do ta përdorte atë retorikë edhe kur ishte nën presionin më të rëndë, siç je ti në këtë moment. Dhe ky presion vjen nga nënndërgjegjja dhe nga disfata që e di që po të afrohet gjithnjë e më shumë çdo ditë. Kështu që nuk do të përgjigjem këtu dhe nuk do të zbres në atë nivel më tej në mënyrë që të kesh nderin të kënaqësh dhe të ushqesh nënndërgjegjen tënde dhe ato shtatë vitet e para të jetës tënde kur ato duhej të të kishin rritur në një njeri që kur merr nderin nga qytetarët, të paktën duhet të sillet me dinjitet dhe edukatë”, tha kryeministri.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume