Ndalimet gjatë protestës: OVL UÇK kërkon lirimin e Ekrem Selimit dhe Fadil Zogajt
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ashpër pas përleshjeve në protestën e djeshme në Prishtinë, duke kritikuar veprimet e Policisë së Kosovës ndaj veteranëve dhe protestuesve.

Në reagimin e saj, OVL UÇK e ka cilësuar ngjarjen si “njollë të rëndë mbi institucionet e Republikës së Kosovës” dhe ka drejtuar akuza ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, transmeton Klankosova.tv.

Sipas OVL UÇK-së, veteranët që protestuan janë përballur me dhunë nga Policia e Kosovës, ndërsa organizata kërkon hetim për veprimet e zyrtarëve policorë dhe përgjegjësi për personat që kanë dhënë urdhrat.

“Uniformat policore nuk do t’i mbrojnë nga përgjegjësia”, thuhet në reagimin e organizatës.

OVL UÇK ka kërkuar gjithashtu “përgjegjësi të plotë për urdhëruesit dhe zbatuesit e kësaj dhune”, si dhe hetim për çdo tejkalim të kompetencave.

Në fund të reagimit, organizata ka kërkuar lirimin e Ekrem Selimit dhe Fadil Zogajt, për të cilët pretendon se po mbahen në paraburgim.

“Njëkohësisht, kërkojmë lirimin sa më të shpejtë të anëtarit të Kryesisë së OVL UÇK-së, Ekrem Selimit, dhe Fadil Zogajt, të cilët po mbahen në paraburgim nga organet policore”.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume