Dy persona janë gjetur të vdekur me shenja dhune në Shkup brenda pesë ditësh, por Prokuroria Publike ende nuk ka konstatuar nëse rastet kanë lidhje mes tyre.
Nga Prokuroria thonë se fillimisht duhet të zbulohet autori i rastit të parë, në mënyrë që të mund të hetohet nëse ekziston ndonjë lidhje mes dy ngjarjeve.
Rasti i fundit u raportua më 27 tetor, rreth orës 09:18, kur një grua gjeti të vdekur nënën e saj 76-vjeçare, në një shtëpi në rrugën “Gjurçin Kokale”, në Shkup. Ekipi i Ndihmës së Shpejtë konstatoi vdekjen dhe shenja të dukshme dhune në trup. Me urdhër të prokurorit publik, trupi është dërguar për obduksion.
Ndërkaq, më 22 tetor, rreth orës 18:40, policia ishte njoftuar se një burrë 62-vjeçar ishte gjetur i vdekur në shtëpinë e tij në Gjorçe Petrov. Edhe në trupin e tij ishin konstatuar shenja dhune dhe ishte urdhëruar obduksioni.
Portali “Skopje1” ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme informacione shtesë për rezultatet e obduksionit në rastin e parë, por deri në publikimin e lajmit nuk kishte marrë përgjigje.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë konfirmuar zyrtarisht ndonjë lidhje mes dy rasteve, ndërsa hetimet për zbardhjen e rrethanave vazhdojnë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume