Shemsi Llugaliu, i akuzuar për aksidentin e komunikacionit ku vdiq Laurent Krasniqi, ka thënë se nuk është në gjendje të deklarohet lidhur me fajësinë. Këtë deklarim e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori Malart Kuçi.

Seanca gjyqësore lidhur me këtë rast ka nisur sot, nga ora 10:00, nën drejtimin e gjyqtarit Bujar Ahmeti.

Në fillim të seancës, avokati i të akuzuarit, Naim Rudari, ka kërkuar shtyrjen e saj, me arsyetimin se mbrojtja ka angazhuar një ekspert tjetër për përgatitjen e një ekspertize të re të komunikacionit dhe se do të deklarohet pasi të përfundojë ajo.

Prokurori e ka kundërshtuar këtë kërkesë, duke thënë se tashmë ekziston një ekspertizë e komunikacionit, e cila, sipas tij, përcakton qartë veprimet e të akuzuarit, raporton “Betimi për Drejtësi”, transmeton Klankosova.tv

Gjykata e ka refuzuar kërkesën për shtyrjen e seancës, duke theksuar se bëhet fjalë për seancë fillestare, në të cilën, sipas dispozitave ligjore, i akuzuari duhet të deklarohet lidhur me fajësinë ose pafajësinë.

Laurent Krasniqi, 29-vjeçar, i cili ishte bërë i njohur përmes reklamave dhe videove humoristike në mediat sociale, ka vdekur mbrëmjen e 2 shtatorit në një aksident komunikacioni.

Në këtë rast, palën e dëmtuar, Xheneta Krasniqi, e përfaqëson avokati Fanol Krasniqi.

Shënim: Personi/personat e përmendur në këtë artikull, prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume