Të paktën 13 persona kanë humbur jetën dhe 10 të tjerë janë plagosur pas një sulmi me dronë rusë që goditi dy trena në Dniepër të Ukrainës, raportojnë mediat lokale.
Fillimisht, autoritetet lokale njoftuan se ishte goditur vetëm një tren, por raportimet e mëvonshme bëjnë me dije se sulmi ka përfshirë një tren pasagjerësh dhe një tren tjetër udhëtarësh.
Sipas informacioneve paraprake, pavarësisht shpalljes së nivelit të lartë të rrezikut, në platformë ndodheshin një numër i konsiderueshëm njerëzish në momentin e sulmit. Shërbimet e emergjencës kanë mbërritur në vendngjarje për t’u ardhur në ndihmë të plagosurve.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, reagoi pas sulmit përmes një postimi në rrjetin social X, ku shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe bëri thirrje për masa të reja kundër Moskës.
“U shpreh ngushëllimet e mia familjeve dhe të dashurve të tyre. Dhjetë persona të tjerë u plagosën. Të gjitha shërbimet e nevojshme të emergjencës po punojnë në vendngjarje”, shkroi Zelensky.
Kreu i shtetit ukrainas kritikoi gjithashtu lehtësimin e sanksioneve ndaj disa oligarkëve rusë dhe sektorit energjetik të Rusisë, duke argumentuar se këto masa nuk kanë sjellë uljen e tensioneve.
Zelensky kërkoi që Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e G7 të ndërmarrin masa të reja dhe më të ashpra sanksionuese ndaj Moskës dhe strukturave që mbështesin luftën.