Toshkovski në takimin e UNODC: Tregtia me njerëz nuk njeh kufij, përgjigjja duhet të jetë e vendosur dhe e organizuar
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot u drejtua në Takimin Rajonal të ekspertëve për forcimin e bashkëpunimit penal ndërkufitar dhe mbrojtjen e viktimave të huaja në rastet e tregtisë me njerëz, në organizim të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krim (UNODC).
Në fjalimin e tij, ministri Toshkovski theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe veprimit të koordinuar të institucioneve në përballimin e tregtisë me njerëz, si një nga format më serioze të krimit të organizuar. Ai shprehu mirënjohje ndaj UNODC për organizimin e takimit, duke theksuar se prania e ekspertëve dhe delegacioneve nga rajoni, por edhe nga Amerika e Jugut, e konfirmon përcaktimin e përbashkët për mbrojtjen e viktimave pa dallim të kufijve kombëtarë dhe gjeografikë.
„Tregtia me njerëz, si akt global dhe shoqërisht i papranueshëm, nuk njeh kufij, as nuk bën dallim mes njerëzve mbi bazë të prejardhjes, përkatësisë apo bindjeve të tyre. Prandaj, përgjigjja jonë duhet të jetë po aq e vendosur: e organizuar, gjithëpërfshirëse dhe multidisiplinare“, theksoi Toshkovski.
Ministri vuri në dukje se përveç formave tradicionale të shfrytëzimit, rrjetet kriminale zhvillojnë edhe mënyra të reja, gjithnjë e më komplekse të abuzimit me njerëzit. Ai i kushtoi vëmendje të veçantë rreziqeve nga shfrytëzimi i punës dhe ai seksual, si dhe cenueshmërisë së shtetasve të huaj të cilët, në kërkim të mundësive më të mira ekonomike, mund të bëhen viktima të tregtisë me njerëz.
Toshkovski theksoi se Ballkani Perëndimor përfaqëson rajon burimi, tranziti dhe destinacioni final për viktimat, ndërsa në Maqedoni vitet e fundit dominon tregtia e brendshme me njerëz, megjithëse identifikohen edhe viktima të huaja. Veçanërisht shqetësuese është cenueshmëria e fëmijëve dhe personave të prekur nga varfëria, diskriminimi dhe dhuna familjare, për çka është e domosdoshme që institucionet të ndjekin vazhdimisht trendet e reja dhe të reagojnë me kohë.
Duke iu referuar përpjekjeve kombëtare, ministri kujtoi se Maqedonia që nga viti 2001 vazhdimisht i zhvillon mekanizmat institucionalë për luftën kundër tregtisë me njerëz, duke harmonizuar legjislacionin dhe praktikat me standardet ndërkombëtare dhe rekomandimet e organizatave relevante.
„Sistemi ynë është i vendosur mbi pesë shtylla: parandalimi, ndjekja penale, mbrojtja, riintegrimi dhe kompensimi i viktimave. Në fokusin e çdo mase tonë gjithmonë qëndron Njeriu — viktima, dinjitetin e së cilës duhet ta rikthejmë“, tha Toshkovski.
Në fund, ministri theksoi se tregtia me njerëz shpesh mbetet e fshehur, ndërsa viktimat të padukshme për shoqërinë, prandaj ngritja e vetëdijes publike, edukimi, njohja me kohë dhe raportimi janë me rëndësi thelbësore.
Ai porositi se vetëm përmes koordinimit të fortë institucional, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe një qasjeje në qendër të së cilës janë të drejtat dhe dinjiteti i viktimave mund të sigurohet parandalim dhe zbulim më efikas i tregtisë me njerëz, ndjekje penale e autorëve dhe mbrojtje e përshtatshme e viktimave.