Pezullimi i Vinicius Jr. për katër ndeshje i ka krijuar Jose Mourinhos një dilemë të madhe në përzgjedhjen e lojtarëve te Real Madridi, por njëkohësisht mund t’i japë Endrickut mundësinë që ka pritur.
Me anësorin brazilian që do ta nisë pezullimin në ndeshjen kundër Sevillas, Mourinho do të duhet të gjejë një kombinim alternativ në sulm, ndërsa sulmuesi i ri është njëri prej lojtarëve që shpreson të përfitojë nga kjo situatë, shkruan “Madrid Universal”.
Endricku ka kërkuar më shumë hapësirë në javët e fundit, ndërsa kontributi i tij vendimtar në përmbysjen dramatike të Real Madridit, 4-3, ndaj Romës e ka forcuar edhe më shumë kërkesën e tij për më shumë minuta lojë.
Pezullimi i Viniciusit tani i jep Mourinhos një arsye për t’i rishqyrtuar alternativat në sulm, ku për mundësi po konkurrojnë edhe Yan Diomande dhe Brahim Diaz, përkrah Kylian Mbappes.
Paraqitja e Endrickut kundër Romës ishte një dëshmi e fortë e vendosmërisë së tij për të lënë gjurmë, ndërsa pezullimi i Viniciusit krijon një mundësi pikërisht në momentin kur ai po përpiqet ta bindë Mourinhon.
Edhe pse pozita e tij natyrale është ajo e sulmuesit qendror, lëvizshmëria dhe aftësia për të sulmuar hapësirat mund ta bëjnë atë një alternativë të përshtatshme në krahun e djathtë.
Kjo do t’i mundësonte Mbappes të mbetej kërcënimi kryesor në qendër të sulmit, ndërsa Endrickut do t’i jepej mundësia të ndikonte në lojë nga një pozitë tjetër.
Prandaj, ndeshja kundër Sevillas do të jetë e rëndësishme për sulmuesin e ri. Me Viniciusin që nuk do të jetë në dispozicion në ndeshjen e parë të pezullimit, Endrick ka mundësinë të tregojë se mund të kontribuojë edhe nga një pozitë tjetër.
Në pozitën e Viniciusit, Diomande mund ta zërë krahun e majtë, me Endrickun në anën e kundërt dhe Mbappen që do ta udhëheqë sulmin.
Ky organizim do t’i jepte Real Madridit shpejtësi të konsiderueshme dhe aftësi për driblime në të dy krahët, duke ruajtur njëkohësisht rrezikun për gol në qendër.
Aftësitë e Diomandes në duelet një kundër një mund ta ndihmojnë Real Madridin t’i shtrijë mbrojtjet kundërshtare, veçanërisht ndaj skuadrave që mbrohen me rreshtime kompakte.
Përfshirja e tij e mundshme do t’i mundësonte gjithashtu Mourinhos të vlerësonte nëse sulmuesit e rinj mund ta plotësojnë njëri-tjetrin, në vend që skuadra të mbështetet te Viniciusi si kërcënimi kryesor nga krahu i majtë.
Në të njëjtën kohë, edhe Brahim Diaz shpreson të përfitojë nga mungesa e Viniciusit.
Ndryshe nga Endricku dhe Diomande, reprezentuesi maroken ofron një profil tjetër, me aftësinë për të kombinuar mes linjave, për ta lidhur mesfushën me sulmin dhe për të krijuar hapësira në zona të dendura të fushës.
Përfshirja e tij mund ta shtyjë Mourinhon drejt një organizimi më të rrjedhshëm të sulmit, në vend të një tresheje të zakonshme sulmuese.
Lëvizjet e Brahimit do t’i jepnin Mbappes një tjetër lojtar me të cilin mund të kombinohej, duke krijuar potencialisht hapësira për futbollistët që depërtojnë nga krahët.
Me pak fjalë, pezullimi i Viniciusit mbetet një goditje për Real Madridin, por njëkohësisht ka hapur një mundësi konkurrimi për lojtarët që kërkojnë më shumë përgjegjësi.
Endricku, Diomande dhe Brahim tani kanë mundësinë t’i forcojnë pozitat e tyre, duke filluar nga ndeshja kundër Sevillas, ndërsa Mourinho shqyrton mënyrën më të mirë për ta organizuar sulmin gjatë mungesës së brazilianit.