Pas një pauze prej 17 vitesh, një ekip inspektorësh të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO) që nga dje ndodhet në vend, ku gjatë dy javëve të ardhshme do të inspektojë përputhshmërinë e aviacionit civil të Maqedonisë me standardet dhe rregulloret më të fundit ndërkombëtare.
Siç qëndron në kumtesën e Agjencisë së Aviacionit Civil, inspektimi po zhvillohet me ftesë të Agjencisë dhe synon të mundësojë një vlerësim të pavarur të zbatimit të kërkesave ndërkombëtare, identifikimin e pikave të forta të sistemit, si dhe evidentimin e mangësive të mundshme dhe fushave ku nevojiten përmirësime.
Drejtori i Agjencisë së Aviacionit Civil, Dragi Stojanoski, thekson se gatishmëria për një kontroll të pavarur dhe të paanshëm është pjesë e rëndësishme e menaxhimit të përgjegjshëm dhe ndërtimit të një sistemi të besueshëm të aviacionit.
“Besoj se inspektimi i pavarur dhe i paanshëm është mënyra më e mirë për të vlerësuar se sa me sukses e kryejmë punën tonë dhe në cilat fusha mund të përmirësohemi më tej. Kemi detyrim dhe përgjegjësi që të përballemi hapur dhe profesionalisht edhe me gjetjet, nëse të tilla evidentohen, pasi vlerësimi objektiv i gjendjes reale është mënyra e vetme për të gjetur zgjidhje të përshtatshme dhe të qëndrueshme për përmirësimin e sistemit, thekson Stojanoski.
Rekomandimet nga inspektimi do të shërbejnë si bazë për planifikimin e aktiviteteve të ardhshme dhe avancimin e proceseve, me qëllim rritjen e mëtejshme të sigurisë në aviacionin civil.
Nga Agjencia theksojnë rëndësinë e bashkëpunimit profesional, transparencës dhe pjesëmarrjes aktive të të gjitha subjekteve të përfshira gjatë procesit të inspektimit, me qëllim krijimin e një pasqyre reale mbi funksionimin e sistemit dhe përcaktimin e drejtimeve konkrete për forcimin e mëtejshëm të tij.
Agjencia mbetet e përkushtuar në avancimin e sistemit rregullator dhe mbikëqyrës, si dhe në zbatimin e vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm të standardeve ndërkombëtare.