Njëri nga liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti, ka reaguar pas përfundimit të zgjedhjeve në Komunën e Bërvenicës, duke komentuar zhvillimet politike dhe deklaratat e bëra pas procesit zgjedhor. Në reagimin e tij, ai nuk ka shprehur një urim publik për kryetarin e ri të komunës, por ka bërë thirrje që të shmangen, siç i quajti ai, “folklorizmat” politike informon Tetovasot.
Mexhiti theksoi se zgjedhjet tashmë kanë përfunduar dhe se qytetarët kanë dhënë verdiktin e tyre përmes votës.
“Zgjedhjet mbaruan. Sot Bërvenica ka kryetar komune, ndërsa jeta vazhdon dhe të gjithë ne u kthehemi obligimeve tona,” shkroi Mexhiti.
Ai deklaroi se deklaratat e ashpra gjatë fushatës i konsideron pjesë të klimës zgjedhore, ndërsa të njëjtën qasje e aplikon edhe ndaj reagimeve pas shpalljes së rezultateve.
“Deklaratat nxitëse gjatë fushatës i kam konsideruar si folklor parazgjedhor. Në po atë frymë, deklaratat polarizuese që dëgjova mbrëmë dhe sot i trajtoj si folklor paszgjedhor,” theksoi ai.
Sipas Mexhitit, vota është shprehje e lirë e qytetarëve dhe nuk mund të konsiderohet pronë e asnjë subjekti politik.
“Votat janë shprehje e lirë e vullnetit të qytetarëve dhe askush nuk i ka në pronësi ato. Në politikë, pozicionimi kundër të gjithëve nuk është strategji që çon drejt suksesit, por një qasje që herët a vonë prodhon zhgënjim,” u shpreh ai.
Në reagimin e tij, Mexhiti foli edhe për rëndësinë e bashkëjetesës në një shtet multietnik, duke theksuar se ndarjet politike dhe etnike nuk duhet të dominojnë diskursin publik.
“Në demokracitë multietnike nuk guxon të ekzistojë ndarje në ‘ne’ dhe ‘ata’, sepse kjo implikon pabarazi dhe tendenca për të suprimuar tjetrin. Dialogu dhe bashkëpunimi janë imperativ dhe parakusht për funksionimin e mirëfilltë të çdo shoqërie,” deklaroi ai.
Në fund, Mexhiti bëri thirrje që pas zgjedhjeve fokusi të zhvendoset nga debatet politike te përgjegjësia institucionale.
“Nuk kemi pse të merremi me folklorin e zakonshëm paszgjedhor, me arsyetimet dhe interpretimet që u serviren qytetarëve sa herë që rezultatet nuk përputhen me pritshmëritë e dikujt. Qytetarët vendosin me votë, ndërsa politika duhet të dijë të marrë përgjegjësi për qëndrimet dhe veprimet e veta,” përfundoi Mexhiti.