Pas rreth 25 vitesh studime në teologji, filozofi dhe shkenca humane, hoxha Drilon Gashi sot punon në ndërtim në Gjermani. Në një reagim prekës, ai rrëfen përpjekjet e tij për të gjetur punë në Kosovë, zhgënjimet dhe vendimin për të marrë rrugën e mërgimit.

Hoxha Drilon Gashi, përmes një shkrimi të publikuar nga Gjermania, ka ndarë përvojën e tij personale, duke treguar se si, pavarësisht viteve të studimit dhe angazhimit profesional, nuk arriti të ndërtojë një jetë të qëndrueshme në Kosovë.

“Po ju shkruaj nga një baushtellë ndërtimi në Gjermani. Jo për t’u viktimizuar, por për të treguar një të vërtetë që shumë shqiptarë e jetojnë në heshtje”, shkruan Gashi.

Ai tregon se ka studiuar për rreth 25 vjet teologji, filozofi dhe shkenca humane, ka shërbyer si imam, ka punuar si këshilltar i Kryekuvendarit dhe ka vazhduar studimet në psikoterapi.

Megjithatë, në moshën 39-vjeçare, sot ndodhet në Gjermani, ku punon në ndërtim, duke vendosur pllaka dhe kryer punë fizike.

Gashi thekson se nuk i vjen turp nga puna që bën, por shpreh zhgënjimin për mungesën e perspektivës dhe sigurisë në vendin e tij.

“Kam konkurruar në rreth 60 vende pune në Kosovë. Kam trokitur në dyer institucionesh, kompanish dhe njerëzish me ndikim. Kam përjetuar refuzime, premtime të pambajtura dhe zhgënjime të njëpasnjëshme”, rrëfen ai.

Sipas tij, me katër fëmijë, detyrime bankare dhe përgjegjësi familjare, erdhi një moment kur nuk mund të priste më, ndaj vendosi të emigrojë në Gjermani, njofton

TS.

Në shkrimin e tij, Gashi ngre shqetësime për mundësitë e punësimit, mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe funksionimin e institucioneve në Kosovë.

Ai thotë se nuk kërkon punësim pa meritë apo mëshirë, por mundësi të barabarta dhe një sistem ku puna dhe merita kanë vlerë.

“Dhe mbi të gjitha, nuk dua që fëmijët tanë të rriten me bindjen se suksesi kërkohet patjetër jashtë Kosovës”, shkruan Gashi.

Në fund, ai thekson se vazhdon ta dojë Kosovën, por nënvizon se atdheu duhet të jetë edhe vendi ku qytetarët mund të jetojnë, të punojnë dhe t’i rrisin fëmijët me dinjitet.

“Këtë herë nuk po flas nga një foltore, nga një studio televizive apo nga një zyrë. Po flas nga baushtella. Dhe ky është zëri im”, përfundon shkrimin hoxha Drilon Gashi.