Qindra persona dolën në rrugët e dy qyteteve zvicerane gjatë natës të së shtunës, ndërsa protestat e paautorizuara përfunduan me barrikada të djegura, dëme materiale dhe ndërhyrje të forcave të rendit.

Qindra persona morën pjesë në tubimet e organizuara nën moton “Na ka ardhur në majë të hundës – edhe në Zvicër”, duke iu referuar protestave të të rinjve në Francë dhe vende të tjera evropiane.

Në Cyrih, disa qindra demonstrues, një pjesë e të cilëve mbanin maska të Halloween-it, u mblodhën rreth orës 22:30 në rrugën Langstrasse.

Gjatë marshimit drejt sheshit Helvetiaplatz, pjesëmarrësit përdorën mjete piroteknike, ndërsa situata u tensionua kur disa prej tyre ngritën barrikada me kontejnerë mbeturinash, biçikleta dhe objekte të tjera, të cilave më pas u vunë flakën.

Policia ndërhyri me topa uji për të shpërndarë turmën, ndërsa përplasjet vazhduan edhe në rrugët përreth.

Sipas autoriteteve, demonstruesit hodhën gurë, shishe dhe mjete piroteknike drejt forcave të rendit, të cilat reaguan me gaz lotsjellës dhe plumba gome, raporton Albinfo.ch, transmeton Klankosova.tv.

Gjatë trazirave u dogj edhe një automjet, ndërsa u dëmtuan vitrinat e disa dyqaneve dhe infrastruktura e transportit publik.

Një incident tjetër ndodhi kur një patrullë policore, e cila po shkonte për t’i ofruar ndihmë një adoleshenti të lënduar rëndë në këmbë nga një aksident, u sulmua nga një grup personash. Automjeti policor u dëmtua dhe zyrtarët u detyruan të tërhiqeshin. Situata në Cyrih u qetësua rreth orës 01:30 të mëngjesit.

Ndërkohë, në Bazel, rreth 150 persona morën pjesë në një demonstratë të paautorizuar që nisi rreth orës 21:00. Protestuesit marshuan nëpër qendër të qytetit, kaluan urën Mittlere Rheinbrücke dhe vazhduan drejt lagjes St. Johann, ku ngritën dhe dogjën barrikada me kontejnerë mbeturinash dhe pengesa metalike.

Për shkak të protestës, transporti publik në Bazel u ndërpre përkohësisht, ndërsa pati pengesa edhe në qarkullimin e automjeteve. Policia ndërhyri për të rivendosur rendin, ndërsa zjarrfikësit shuan barrikadat e përfshira nga flakët.

Protestat lidhen me një valë pakënaqësish të të rinjve në disa vende evropiane. Ditët e fundit, në rrjetet sociale ishin shpërndarë thirrje për mobilizim edhe në Zvicër, përfshirë sloganin gjerman “GenZ regelt”, që nënkupton se Gjenerata Z po merr iniciativën.

Autoritetet zvicerane kanë nisur hetimet për incidentet dhe dëmet materiale të shkaktuara gjatë trazirave.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume