Ahmeti ju bën thirrje shqiptarëve të Luginës për pjesëmarrje në zgjedhjet për Këshillin kombëtar shqiptar
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës që të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar, të cilat mbahen nesër, më 8 nëntor.
Përmes një mesazhi publik, Ahmeti ka theksuar rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për përfaqësimin politik dhe institucional të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Ai ka vlerësuar se pjesëmarrja në votime nuk përbën vetëm ushtrim të së drejtës demokratike, por edhe përgjegjësi për ruajtjen dhe forcimin e identitetit kombëtar shqiptar.
Ahmeti ka nënvizuar se çdo votë është një zë për dinjitetin, barazinë dhe të ardhmen e shqiptarëve në Luginë, duke bërë thirrje që qytetarët të mos e humbin mundësinë për të kontribuar në përfaqësimin e tyre institucional.
Postimi i plote:
Të dashur shqiptarë të Luginës së Preshevës,
Lugina e Preshevës është pjesë e pandashme e trungut tonë kombëtar, me histori, sakrificë dhe qëndresë të veçantë në rrugën e ruajtjes së identitetit shqiptar.
Nesër, më 8 nëntor, ju ftoj të dilni masivisht në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar.
Kjo nuk është vetëm një e drejtë vote, por edhe një përgjegjësi kombëtare. Është mundësi për ta dëshmuar unitetin, për ta forcuar zërin politik e institucional të shqiptarëve dhe për të mbrojtur gjuhën, arsimin, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar.
Çdo votë është një zë për dinjitetin, barazinë dhe të ardhmen e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Mos lejoni që zëri juaj të mungojë aty ku vendoset për të ardhmen tuaj. Dilni votoni, sepse Lugina ka nevojë për përfaqësim të fortë, dinjitoz dhe me përgjegjësi kombëtare!
Me respekt e përkrahje vëllazërore,
Ali Ahmeti
Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim