Shkup, 27 nëntor – Pas përplasjeve politike për përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës, një tjetër deklaratë e kryeministrit Hristijan Mickoski ka hapur debat për të drejtat gjuhësore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Këtë herë, në qendër të polemikave është arsimi i lartë në gjuhën shqipe, të cilin kryeministri, gjatë një fjalimi nga foltorja e Parlamentit, e ka vënë në pikëpyetje nga aspekti kushtetues, duke përdorur edhe termin “implant”. Deklarata ka nxitur reagimin e ashpër të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), që akuzon Mickoskin për interpretime të pabazuara të Kushtetutës dhe kërkon nga VLEN-i të largohet nga Qeveria.

Kryeministri Mickoski, gjatë seancës së djeshme parlamentare, deklaroi se, sipas interpretimit të tij të Kushtetutës, mësimi në gjuhë të tjera përveç maqedonishtes mund të zhvillohet vetëm në arsimin fillor dhe të mesëm, por jo edhe në arsimin e lartë. “Nëse e lexoni mirë Kushtetutën, do të shihni se arsimi i lartë nuk mund të jetë në gjuhë tjetër veç maqedonishtes. Ajo që ligji është i tillë dhe ajo që krejt ne kemi një implant të tillë, është temë tjetër. Sepse në gjuhë tjetër veç maqedonishtes mund të kemi vetëm mësim fillor dhe të mesëm, jo edhe të lartë, nëse e lexoni Kushtetutën”, deklaroi Mickoski.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar sot BDI-ja, duke vlerësuar se kryeministri po i interpreton dispozitat kushtetuese dhe ligjore në funksion të agjendës së tij politike. Sipas kësaj partie, në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut nuk ekziston asnjë dispozitë që ndalon zhvillimin e arsimit të lartë në gjuhën shqipe. “Që nga ardhja në pushtet, Mickoski çdo ditë na flet për një Kushtetutë inekzistente dhe për ligje që nuk ekzistojnë. Deklarata e tij e fundit, se arsimi i lartë në gjuhën shqipe qenka një ‘implant’, është një tjetër dëshmi e qasjes së tij përjashtuese. Në Kushtetutën në fuqi nuk ekziston asnjë dispozitë që e ndalon arsimin e lartë në gjuhën shqipe. Përkundrazi, kjo e drejtë është e garantuar me legjislacionin në fuqi”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Nga partia opozitare shqiptare vlerësojnë se deklaratat e kryeministrit krijojnë pasiguri juridike dhe kontribuojnë në nxitjen e tensioneve ndëretnike në vend. “Burimi i tensioneve nuk është arsimi në gjuhën shqipe, por politika që vë në pikëpyetje të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe ligj”, theksojnë nga BDI-ja.

Për integristët, deklarata e fundit e Mickoskit nuk përbën një rast të izoluar, por është pjesë e një serie zhvillimesh politike dhe institucionale që, sipas tyre, kanë cenuar të drejtat e shqiptarëve që nga ardhja e kësaj Qeverie në pushtet.

BDI-ja rikujton se shfuqizimi i Balancuesit ishte paralajmëruar në programin e VMRO-DPMNE-së, i cili është bërë pjesë edhe e programit qeveritar. Sipas kësaj partie, vendimi i mëvonshëm i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e këtij mekanizmi ka hapur rrugën për cenimin e parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.

Në reagim përmenden gjithashtu shfuqizimi i emërtimeve të rrugëve dhe shesheve në Tetovë, iniciativat për shfuqizimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, si dhe zvogëlimi i numrit të këshilltarëve në disa komuna me shumicë shqiptare, pas përjashtimit të popullsisë jorezidente nga përllogaritja.

Sipas BDI-së, këto zhvillime dëshmojnë një largim nga parimet e barazisë, bashkëjetesës dhe kompromisit politik mbi të cilat është ndërtuar rendi kushtetues i vendit. “Me këtë qasje, Maqedonia e Veriut po largohet nga parimet e bashkëjetesës, barazisë dhe marrëveshjes mbi të cilat është ndërtuar rendi i saj kushtetues. I bëjmë thirrje Mickoskit të heqë dorë nga retorika përjashtuese, të ndalë nxitjen e tensioneve dhe të respektojë Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”, thuhet në kumtesën e partisë.

Përveç kritikave ndaj kryeministrit dhe VMRO-DPMNE-së, BDI-ja ka adresuar përgjegjësi politike edhe ndaj VLEN-it, si partner shqiptar në koalicionin qeveritar. Nga kjo parti kërkojnë që VLEN-i të distancohet publikisht dhe menjëherë nga qëndrimet e kryeministrit, duke shkuar deri te kërkesa për braktisjen e Qeverisë dhe institucioneve. “Kërkojmë që VLEN-i të distancohet publikisht dhe menjëherë nga këto politika, të braktisë Qeverinë dhe institucionet, përndryshe do të jetë bashkautor dhe bashkëfajtor në këto politika përjashtuese, nxitëse dhe degraduese”, përfundon reagimi i BDI-së.