Ish-presidenti, Ilir Meta, ka reaguar një ditë pas dënimit të ish-vjehrrës së tij, Fatime Kryemadhi, për pastrim parash. Meta e quan të pavlefshëm nga ana procedurale këtë vendim.

“Vendimi i djeshëm i GJKKO për tre personat e pretenduar, që kanë bashkëpunuar me mua ka ZERO vlerë procedurale, sepse gjatë hetimit dhe seancave të gjykimit, deri në ditën e ndarjes së çështjes nga GJKKO e Shkallës së Parë, nuk është pranuar as fakti penal dhe as bashkëpunimi nga asnjë i pandehur.

Edhe nga tërësia, vlerësimi i provave të tjera, nuk provohet fakti penal objekt hetimi dhe gjykimi”, tha Meta përmes një postimi në Facebook.

“Po kështu, unë nuk jam thirrur nga trupa gjykuese që mori vendimin e djeshëm, por as jam thirrur edhe nga tre të pandehurit. Ndërsa unë kam kërkuar thirrjen e të tre të pandehurve gjatë gjykimit tim në themel sipas episodeve që pretendon Prokuroria. Shkaqet e vendimit tim për t’i thirrur këta tre të pandehur janë për të zeruar çdo pretendim, falsifikim, manipulim dhe çdo alibi propogandistike dhe morale. Unë nuk di të fshihem, por vetëm të përballem. E vërteta ka qenë dhe do të jetë në anën time dhe të gjithë patriotëve të pamposhtur”.

Kur kanë kaluar dy vite nga arrestimi i Ilir Metës, GJKKO ka dhënë vendimet e para për personat e përfshirë në dosjen ndaj tij.

Për ish-vjehrrën e tij, Fatime Kryemadhi, e akuzuar për pastrim parash, dënimi u dha me 7 vite e 6 muaj burgim, por, për shkak të gjykimit të shkurtuar, u ul në 5 vite dhe në përfundim u konvertua në 2 vite shërbim prove. Gjithashtu, asaj i ndalohet të mbajë kontakte me persona të dënuar, me përjashtim të familjarëve.

Fajtore u gjet edhe Ema Çoku, me akuzën për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Në përfundim, ajo mori masën e shërbimit të provës, me kusht që për 2 vite e 8 muaj të mos kryejë vepër penale, si dhe detyrimin për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore.

I pafajshëm u shpall Piro Xhixho, i akuzuar për korrupsion. GJKKO hoqi çdo masë që ishte vendosur ndaj tij.

Trupa gjykuese rrëzoi gjithashtu kërkesën për konfiskimin e pasurisë së Fatime Kryemadhit.

Procesi ndërkaq vijon me procedurën e zakonshme, me përballjen e provave me Ilir Metën dhe ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume