BOZHINOVSKA NË DITËN E DYTË TË P-TEC: VAZHDOJNË DISKUTIMET PËR SIGURINË ENERGJETIKE DHE PARTNERITETET STRATEGJIKE
Ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, sot
vazhdon pjesëmarrjen në takimin e shtatë të Partneritetit për Bashkëpunim Transatlantik
në Energjetikë (P-TEC) në Varshavë, ku në fokus janë siguria energjetike, diversifikimi i
furnizimit dhe mbrojtja e infrastrukturës kritike. Dita e dytë e forumit i kushtohet
bashkëpunimit ministror dhe çështjeve strategjike energjetike me interes të përbashkët
për Evropën dhe SHBA-në.
Dje, Bozhinovska mori pjesë në panelin “Forcimi i sigurisë energjetike evropiane:
qëndrueshmëria e infrastrukturës kritike dhe diversifikimi i furnizimit”, ku prezantoi hapat
konkretë që po ndërmerr vendi për të siguruar rrugë alternative furnizimi dhe ndërlidhje
më të madhe rajonale.
Ajo theksoi se, pas tri dekadash varësie nga një burim i vetëm i furnizimit me gaz
natyror përmes Bullgarisë, Maqedonia e Veriut po zhvillon ndërlidhje të reja
infrastrukturore përmes interkonektorëve me Greqinë dhe Serbinë. Interkonektori me
Greqinë pritet të përfundojë në qershor të vitit të ardhshëm dhe është i përgatitur edhe
për transportin e hidrogjenit. Si hapa shtesë ajo përmendi punën për ndërlidhjen e rrjetit
elektrik me Shqipërinë dhe vënien sërish në funksion të naftësjellësit me Greqinë, pas
12 vitesh pasiviteti.
Në diskutim u trajtua edhe mbrojtja e infrastrukturës kritike energjetike nga sulmet
kibernetike dhe kërcënimet me dronë. Bozhinovska theksoi se nevojitet koordinim mes
institucioneve, operatorëve dhe sektorit privat, si dhe një kuadër ligjor i përshtatshëm.
Ajo foli edhe për sfidat në zinxhirët e furnizimit, duke përmendur se një investitor i
interesuar për ndërtimin e një turbine me gaz kishte marrë si afat të parë të
disponueshëm për dorëzim vitin 2032. Kjo dëshmon se projektet e reja energjetike
duhet t’i marrin parasysh që në fazën e planifikimit ndryshimet teknologjike, sistemet
rezervë dhe rreziqet e sigurisë.
Programi i sotëm vazhdon me diskutime ministrore për energjinë bërthamore,
bashkëpunimin industrial transatlantik, sigurinë e furnizimit me gaz natyror të lëngshëm
(LNG), financimin e infrastrukturës strategjike energjetike dhe mbrojtjen e saj.
Pjesëmarrja e Maqedonisë së Veriut në P-TEC është një mundësi për thellimin e
partneriteteve me SHBA-në dhe vendet evropiane, si dhe për forcimin e bashkëpunimit
rajonal drejt një sistemi energjetik më të sigurt dhe më rezistent.