Pushteti i ka refuzuar të gjitha amendamentet e LSDM-së gjatë tri ditëve të deritanishme të debatit për amendamentet e Buxhetit, ndër të cilat edhe propozimin për rritjen e pagës minimale në 600 euro. Kjo ndodhi pavarësisht se, sipas deputetit të LSDM-së, Fatmir Bytyqi, propozimet kishin të bënin me përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve dhe avancimin e disa fushave të rëndësishme.
Bytyqi vlerësoi se Buxheti i propozuar ka mangësi serioze dhe nuk ofron perspektivë zhvillimore.
“Mos të harrojmë, kishim një propozim për rritjen e pagës minimale në 600 euro. Edhe pse kemi një bindje se ata vetë do ta bëjnë këtë në një mënyrë apo tjetër, do të shohim në periudhën e ardhshme. Por, duket se në këtë shtet propozimet që vijnë nga opozita nuk vlejnë për qytetarët, ndërsa paratë e shumicës qeverisëse janë më të mira për qytetarët”, deklaroi Bytyqi.
Ai theksoi se pushteti nuk tregoi gatishmëri për të pranuar asnjë nga amendamentet e propozuara, edhe pse, siç tha, bëhet fjalë për propozime serioze që do të përmirësonin cilësinë e jetës së qytetarëve.
“Gjatë tri ditëve të debatit për amendamentet, shumica qeverisëse nuk tregoi gatishmëri për të dëgjuar asnjë amendament, edhe pse ka amendamente serioze dhe të mira që do të duhej ta përmirësonin cilësinë e jetës së qytetarëve. Ne, si opozitë, do të vazhdojmë të luftojmë deri në fund për ta treguar anën tjetër të medaljes, përkatësisht të vërtetën se pas këtij Buxheti nuk fshihet një projekt zhvillimor, se ai ka mangësi serioze dhe se shteti nuk po ecën në drejtimin e duhur, veçanërisht sa i përket menaxhimit të financave publike”, theksoi Bytyqi.