Kryetari i ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, deklaroi se provimi i jurisprudencës duhet të jepet ekskluzivisht në gjuhën maqedonase dhe se Maqedonia nuk duhet të bëjë lëshime të reja lidhur me ndryshimet kushtetuese pa reciprocitet nga Bullgaria.
Dimitrievski paralajmëroi se do të kërkojë takim liderësh me partnerët e koalicionit qeveritar, me qëllim përcaktimin e vijave të kuqe të ZNAM-it. Sipas tij, çështja e gjuhës nuk duhet të bëhet objekt i marrëveshjeve të politikës ditore, pasi lidhet drejtpërdrejt me sistemin gjyqësor dhe rendin kushtetues.
“Kryeministri e njeh plotësisht qëndrimin tonë. Jemi të gatshëm për bisedime, por do të kërkoj takim liderësh me partnerët qeveritarë, në mënyrë që hapur t’i përcaktojmë vijat e kuqe. Kjo nuk është çështje e kalkulimeve të politikës ditore, por çështje që lidhet me të ardhmen e shtetit dhe sistemin gjyqësor. Për ZNAM-in, këtu nuk ka vend për improvizime dhe pazare politike. Provimi i jurisprudencës do të jepet vetëm në gjuhën maqedonase”, deklaroi Dimitrievski në televizionin Sitel.
Duke folur për ndryshimet kushtetuese dhe integrimin evropian, ai përsëriti se ZNAM mbetet te propozimi për zbatimin e shtyrë të amendamenteve kushtetuese. Sipas tij, perspektiva evropiane nuk mund të shërbejë si arsyetim për lëshime të njëanshme në dëm të gjuhës, identitetit dhe dinjitetit maqedonas.
“Qëndrimi i ZNAM-it është i qartë. Propozimi për zbatimin e shtyrë të amendamenteve kushtetuese është në tryezë, por Maqedonia nuk mund të bëjë vazhdimisht lëshime, ndërsa nga ana tjetër të mos ketë asnjë hap drejt respektimit të të drejtave të maqedonasve. Ekzistojnë vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Le ta zbatojnë të paktën njërin prej tyre. Mjaft më që Maqedonia të jetë pala e vetme nga e cila vazhdimisht kërkohet të lëshojë pe. Nëse duam të ecim përpara, duhet të ketë reciprocitet”, porositi Dimitrievski.