Të thuash të vërtetën mes dy ushtrive, kur të gjithë të shpallin Armik…
Plumbi në fyt
Nga Arian Galdini
Më 9 maj 1937, në Barcelonë, George Orwelli i shkroi një letër botuesit të tij.
Ishte në Spanjë, në mes të Luftës Civile.
Shpresonte të dilte i gjallë prej saj, qoftë edhe vetëm që të shkruante një libër për ato që kishte parë.
Kishte parë aq shumë sa nuk mund të besonte më as gazetat që shpallnin se flisnin në emër të kauzës së tij.
Gënjeshtrat qarkullonin larg frontit, ndërsa censura i pengonte dëshmitarët të tregonin çfarë po ndodhte.
Ai donte të kthehej dhe ta thoshte të vërtetën.
Njëmbëdhjetë ditë më vonë, një plumb i përshkoi fytin.
Orwelli kishte shkuar në Spanjë për të luftuar kundër Frankos.
Ishte bashkuar me milicinë e POUM-it dhe kishte qëndruar në front.
Por ndërsa kundërshtonte fashizmin, brenda anës republikane po ngrihej një tjetër makineri përndjekjeje.
Forcat komuniste të lidhura me vijën staliniste e shpallën POUM-in organizatë armiqësore.
Njerëzit që kishin luftuar kundër Frankos u etiketuan si bashkëpunëtorë të tij.
Disa përfunduan në burg.
Orwellit dhe bashkëshortes së tij iu desh të largoheshin nga Spanja.
Një plumb e kishte goditur nga fronti.
Një akuzë kërkonte ta zhdukte nga e vërteta e frontit ku kishte luftuar.
Shumë më vonë do të mbeteshin librat, fama, emri i tij.
Por atë vit nuk kishte asgjë prej tyre që ta mbronte.
Kishte një plagë, kishte miq të përndjekur, kishte parë një gënjeshtër të veshur me uniformën e kauzës që kishte mbrojtur.
Dhe kishte ende një gjë që nuk pranonte ta dorëzonte, dëshminë e vetë.
Në shkrimin Spilling the Spanish Beans, Orwelli tregoi si bëhej shpallja e armikut.
Në fillim, njeriut i thuhej se po e ngatërronte çështjen, se po përçante forcat antifashiste, se nuk ishte çasti për kundërshtim.
Po të vazhdonte të fliste, atij i vihej një emër tjetër, tradhtar.
Mjaftonte etiketa «trockist» që një kundërshtar i fashizmit të paraqitej si njeri i Frankos.
Një fjalë politike shërbente si urë për ta hedhur nga mospajtimi te armiku.
Kjo është pika ku sundimi bëhet më i rrezikshëm se një urdhër për të heshtur.
Nuk të mbyll vetëm gojën.
Ta merr fjalën që ke thënë, ia ndërron kuptimin dhe ta kthen përpara si provë kundër teje.
Ti ke denoncuar një padrejtësi, ata shpallin se ke mbrojtur armikun.
Ti ke refuzuar një mashtrim, ata shpallin se je shitur te pala tjetër.
Ti ke mbajtur qëndrimin tënd, ata përpiqen t’i vënë një firmë të huaj.
Kështu njeriu nuk dënohet më për mendimin që ka shprehur.
Dënohet për mendimin që një ushtri i ka veshur.
Është shpronësimi i fjalës.
Këtë njoh në betejën politike që zhvilloj sot në Shqipëri.
Nuk jam në pritje të një lufte të ardhshme.
Nuk po shkruaj nga një lartësi e qetë, pasi kanë heshtur britmat.
Jam në mes të saj, mes njerëzish që kërkojnë të më tregojnë jo vetëm kundërshtarin, por edhe cilën fjali kam të drejtë të them për të.
Unë kërkoj largimin e Edi Ramës nga qeverisja.
Pa ekuivok.
E kundërshtoj përqendrimin e pushtetit, mënyrën si është ushqyer varësia e qytetarit prej shtetit dhe përdorimin e forcës politike për të ngushtuar hapësirën e një Republike që duhet t’u përkasë të gjithëve.
Shqipëria nuk ka nevojë për një sundimtar që të na bëjë nder me të drejtat tona.
Ka nevojë që ai pushtet të përfundojë.
Por kundërshtimi im ndaj Ramës nuk është kontratë besnikërie me Sali Berishën.
Nuk e pranoj Berishën si shpëtimtarin e detyrueshëm të shqiptarëve.
Nuk e pranoj oligopolin PS–PD si ligjin e pashkruar sipas të cilit, për ta kundërshtuar njërën palë, qytetari duhet t’ia falë ndërgjegjen tjetrës.
Nuk e pranoj këtë radhë të pafundme ku pushteti i njërit kthehet në arsyen që tjetri të mos gjykohet kurrë.
Revolucionin e shpallur nga Flamingot e quaj Mashtrimi i Madh.
Rrezikun që shoh në atë rrugë e kam emërtuar Katovica e Re, zemërimi i vërtetë i qytetarëve të përdoret për të ndryshuar fytyrat në krye, ndërsa pushteti të ruajë mënyrën e vjetër të zotërimit.
Një populli që kërkon çlirim mund t’i ofrohet, me fjalë të reja, një komandant i ri.
Ky është qëndrimi im.
Nuk e kam marrë hua.
Nuk e jap me qira.
Dhe pikërisht këtu nisin dy ushtritë.
Njëra ka në dorë shtetin, qeveris, vendos, administron dhe zotëron mjetet e forcës publike.
Unë kërkoj largimin e saj.
Tjetra nuk e ka shtetin, por kërkon të ketë në dorë revoltën kundër tij, sillet sikur e drejta për ta kundërshtuar qeverinë jepet vetëm përmes saj.
Prej flamurtarëve të kësaj revolte më vijnë fjalët:
«Kujt i shërben?»
«Je i shitur. Të paguan Edi Rama. Të ka blerë Edi Rama.»
«Po përçan e po dekurajon Revolucionin dhe protestat.»
«Je frikacak. Nuk ke kurajë të sakrifikosh në shesh, si ata të rinj që përballen me policinë, goditen e mbulohen nga gazi.»
«Ke frikë të luftosh korrupsionin. Po mbron hajdutët.»
M’i hedhin këto fjalë si gurë.
Dhe pastaj pretendojnë se janë duke më bërë pyetje.
Por pyetja kërkon përgjigje, kjo mënyrë e të pyeturit kërkon dorëzim.
Nuk shqyrton çfarë kam thënë.
Më cakton një blerës, një frikë, një interes të fshehtë dhe e shpall çështjen të mbyllur.
Shantazhi bëhet më i ulët kur më vënë përballë sakrificën e të rinjve në shesh.
Ata përballen me goditjet e policisë, thithin gazin e saj, mbajnë mbi trup çmimin e një kundërshtimi.
Pikërisht këtë çmim, të tjerë duan ta përdorin si urdhër për heshtjen time.
I riu që rri në këmbë përballë gazit nuk ia ka dhuruar sakrificën e vet atij që mban megafonin.
Plaga e protestuesit nuk është mandat mbi ndërgjegjen e një qytetari tjetër.
Protestuesit i duhet drejtësi.
Nuk i duhet një pronar që flet në emër të plagës së tij.
Flamurtarët e revoltës ma veshin Ramën si pronar të fjalës sime sa herë kritikoj Berishën dhe Flamingot.
Pushteti i Ramës nuk bëhet më i drejtë ngaqë ua kundërshtoj rrugën atyre.
As rruga e tyre nuk bëhet më e drejtë ngaqë kërkoj fundin e qeverisjes së Ramës.
Çdo ushtri do ta gjykojë fjalën time sipas dobisë që i sjell.
Ajo që kërkohet të zhduket është e vetmja gjë që u përket vërtet fjalëve të mia, kuptimi që u jap unë.
Dhe për ta bërë këtë vjedhje të besueshme, u duhet edhe një tjetër, fshirja e kujtesës.
Pesë muaj më parë, dhe për vite të tëra përpara, zëri im ishte i pandalshëm e i pakursyer kundër regjimit politik Rama – Berisha, oligopolit PS – PD, hajdutërisë dhe korrupsionit.
Dhe sot është po ai zë.
Kam shkruar, kam folur, kam vepruar për dinjitetin, lirinë dhe demokracinë.
Ato beteja kanë data, fjalë, njerëz e gjurmë që mbeten.
Por sapo refuzoj t’u bindem, më flasin sikur të kem hyrë sot për herë të parë në jetën politike.
Sikur vitet e kundërshtimit tim ndaj Ramës të mos kenë ekzistuar.
Për ushtrinë, historia e njeriut fillon ditën kur ai pranon komandën e saj, nëse nuk e pranon, historia i fshihet.
Kjo është amnezia e komanduar, nuk i zhduk dot faktet e së djeshmes, prandaj ua ndalon hyrjen në gjykimin e së sotmes.
Dhe, përpara atij boshllëku që krijuan vetë, të pyesin: «Po ti, çfarë ke bërë?»
Unë nuk qëndroj në mes të dy ushtrive për të numëruar gabimet e tyre dhe për të shpërndarë nga një gjysmë të drejte, sikur e vërteta të ishte bukë që ndahet për të mos mbetur askush i pakënaqur.
Qeveria mban përgjegjësinë e qeverisjes, ka pushtetin, institucionet, mjetet e shtetit dhe pasojat e vendimeve të saj.
Ata që kërkojnë të marrin drejtimin e kundërshtimit mbajnë përgjegjësinë për atë që premtojnë, për mjetet që përdorin dhe për të drejtën që pretendojnë të kenë mbi zemërimin e njerëzve.
Përgjegjësitë nuk janë të njëjta.
Por pretendimi për të më komanduar ndërgjegjen është i palejueshëm nga cilado anë të vijë.
Dhe kur akuzat nuk mjaftojnë, vjen një pyetje që tingëllon e arsyeshme:
«Mirë, mund të kesh të drejtë. Por cila është zgjidhja? Ç’të bëjmë? Të rrimë duarkryq?»
Sikur veprimi politik të kishte vetëm një pronar.
Sikur kush nuk marshon pas flamurit të tyre të kishte ndalur së ecuri.
Sikur kundërshtimi i një qeverie të të detyronte të pranoje pa gjykim gjithçka që premtohet për ta rrëzuar.
Zgjidhja nuk është të rrimë duarkryq.
Zgjidhja është të mos ia dorëzojmë duart tona një mashtrimi.
Të luftosh për largimin e Ramës, për llogaridhënien e pushtetit, kundër korrupsionit e për zgjedhje të drejta.
Të mbrosh qytetarët që protestojnë dhe të kërkosh përgjegjësi për dhunën ndaj tyre.
Të ndërtosh një alternativë të lirë që nuk i kërkon shqiptarit të zgjedhë një padron për të shpëtuar nga tjetri.
Kjo kërkon më shumë punë se një brohoritje, por është punë politike, jo duarkryqësi.
Një «zgjidhje» që kërkon të mos e thuash atë që sheh, përpara se të nisë, është tashmë një problem për lirinë që premton.
Më thonë se fjala ime i jep armë kundërshtarit.
Kjo është fjalia e vjetër me të cilën çdo kamp kërkon të hapë një burg brenda mendjes së njerëzve të vetë.
Sapo pranohet, e vërteta pushon së qeni ajo që zbulohet dhe bëhet ajo që lejohet.
Pastaj vjen roja e portës, vjen lista e fjalëve të ndaluara, vjen emri i armikut për secilin që ende mendon.
Orwelli e njohu këtë mekanizëm përpara se bota të njihte 1984.
Në Spanjë nuk iu kërkua vetëm të përballonte plumbat e kundërshtarit.
Atij iu kërkua, në emër të fitores kundër atij kundërshtari, të heshtte për përndjekjen e njerëzve në anën ku kishte luftuar.
Ai nuk e pranoi.
Libri Homazh Katalonjës doli më 1938 nga një botues tjetër, pasi botuesi i tij i zakonshëm nuk deshi ta botonte.
Asnjë kauzë nuk bëhet më e drejtë nga gënjeshtra që kërkon të thuhet për të.
Asnjë luftë për liri nuk fiton autoritet mbi ndërgjegjen e atyre që e mbështesin lirinë.
Në çastin kur një lëvizje kërkon që e vërteta të marrë leje prej komandës, ajo ka nisur të ndërtojë pikërisht atë që betohet se do ta shembë.
Këtu është dallimi ndërmjet një bashkësie njerëzish të lirë dhe një ushtrie besnikërish të detyruara.
Ushtria pyet: Kush të dha leje ta thuash këtë tani?
Njeriu i lirë përgjigjet me vetë fjalën që nuk kërkoi leje.
Le të më kundërshtojnë me argumente.
Baltosja që zë vendin e argumentit, etiketa që zë vendin e provës dhe kërcënimi që zë vendin e debatit kërkojnë diçka tjetër, ta kthejnë qytetarin që flet në njeri që duhet të lutet për të folur.
Në një njeri që flet pa marrë urdhër, ushtria sheh kufirin e pushtetit të saj.
Shqiptarizmi im nis pikërisht këtu, njeriu është trashëgimtar i një bote të përbashkët, jo pronë e atyre që e kanë marrë përsipër ta përfaqësojnë.
Kombi nuk është inventari i një partie. Atdheu nuk është prona e fituesit.
Kundërshtimi nuk është një tokë që e ka regjistruar në emër të vet opozita.
Edhe mospajtimi është një formë e përgjegjësisë ndaj vendit, kur lind nga ndërgjegjja dhe mbrohet me fjalë të lira.
Mospronësimi, për mua, nuk është zbukurim filozofik.
Është kufi politik.
Të mos lejosh që pushteti të bëhet pronar i shtetit.
Të mos lejosh që opozita të bëhet pronare e revoltës.
Të mos lejosh që një lëvizje të bëhet pronare e shpresës.
Dhe, mbi të gjitha, të mos lejosh që dikush të bëhet pronar i fjalisë sate vetëm sepse ajo nuk i shërben.
Kjo është E Djathta e Dinjitetit që mbroj, liri që nuk blihet me përkatësi, dinjitet që nuk varet nga urdhri dhe përgjegjësi politike që nuk e mban qytetarin peng të zgjedhjes midis dy padronëve.
Unë jam konservator sepse nuk ia dorëzoj një entuziazmi të çastit jetën, kujtesën dhe institucionet e një populli.
Jam i djathtë sepse besoj te njeriu që qëndron në këmbët e veta, jo te varësia e përhershme prej dorës së pushtetit.
Jam shqiptarist sepse Shqipërinë e dua të qytetarëve të saj, jo të pronarëve të radhës.
Nuk i kërkoj të sotmes të më japë miratimin e saj.
I kërkoj Kohës të dëshmojë.
Ushtritë mund ta rishkruajnë përditë biografinë e kundërshtarit.
Koha nuk merr urdhra nga shtabet.
Ajo mban datën kur një fjalë është thënë, përpara se të dihej çfarë do të sillte e nesërmja.
Paralajmërimet e mia për Mashtrimin e Madh dhe Katovicën e Re i kam shqiptuar në kohë.
Dua që, kur pasojat të bëhen të dukshme, njerëzit t’u kthehen atyre fjalëve.
Nëse vërtetohen, kërkoj të njihet pesha e gjykimit tim dhe guximi për ta mbrojtur kur më kushtonte.
Kjo është besueshmëria që kërkoj të ndërtoj, që fjala e thënë në kohë të peshojë më rëndë se britma e thënë me shumicë.
Sot, ndërkaq, një fjali ime nxirret nga trupi i mendimit dhe hidhet nga një llogore te tjetra si plaçkë lufte.
Përpara se ta lexojnë, duan t’i gjejnë pronarin.
Sepse kështu punon një ushtri e mendimit të detyruar, nuk e dëgjon zërin që nuk kontrollon; kërkon t’i zbulojë komandantin.
Dhe kur nuk e gjen, ia shpik.
Nuk kam një komandant të fshehtë pas gjykimit tim.
Kam ndërgjegjen time, kujtesën time, bindjet e mia dhe të drejtën t’i mbroj publikisht.
Për këto qëndrime nuk kërkoj vulë nga qeveria, leje nga opozita, as bekim nga ata që e kanë shpallur veten revolucionin e vetëm të mundshëm.
Nuk u kërkoj të pushojnë së luftuari për atë që besojnë.
U mohoj të drejtën të ma shkruajnë ata bindjen.
Këtu nis Revolucioni i Vogël që i paraprin çdo revolucioni të madh: një njeri ndalon së përsërituri fjalën e komanduar.
Një qytetar nuk e quan armik fqinjin vetëm sepse nuk brohoret me të.
Një shoqëri mëson se kundërshtimi i pushtetit nuk është monopol i një partie dhe se dashuria për vendin nuk ka nevojë për dëshminë e asnjë flamurtari politik.
Liria e shprehjes nuk është dhuratë për mendimet që na pëlqejnë.
Ato dinë të jetojnë edhe nën mbrojtjen e shumicës.
Prova e saj është fjala që prish rreshtin, që nuk ia plotëson pritjen fituesit të ditës, që e shqipton të vërtetën edhe kur nga të dy krahët ngrenë zërin për ta mbytur.
Në Spanjën e vitit 1937, një shkrimtar donte të kthehej i gjallë për të treguar atë që kishte parë.
Plumbi i kaloi nëpër fyt, përndjekja u përpoq t’ia diskreditonte dëshminë; një botues ia mbylli derën.
Fjala e tij, megjithatë, mbërriti.
Unë shkruaj nga Shqipëria e sotme, me kundërshtarët e mi të emërtuar dhe me betejën time të pambyllur.
Dua largimin e Ramës.
Refuzoj ta dorëzoj këtë kundërshtim te Berisha.
E denoncoj Mashtrimin e Madh të Flamingove dhe paralajmëroj Katovicën e Re.
Nuk do t’i ndërroj këto qëndrime sipas ushtrisë që ulërin më fort.
Nëse kjo më bën armik në fjalorin e të dyjave, atë fjalor le ta mbajnë për vete.
Nuk më shpallin armik sepse kam heshtur.
Më shpallin armik sepse fjala ime nuk u bindet.
Dhe asnjërës nuk ia kam dhënë të drejtën të bëhet autorja e saj.
Le t’i mbajnë flamujt.
Le t’i numërojnë rreshtat.
Le ta shpallin tradhti çdo fjalë që nuk marshon pas tyre.
Fjala ime nuk ka komandant.
Dhe Shqipëria që kërkoj nuk do të ketë nevojë t’i kërkojë leje një komandanti që të dëgjojë një njeri të lirë.
Arian Galdini