Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pritet të qëndrojë në Shkup më 22 nëntor, me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, ndërsa gjatë vizitës parashikohet të zhvillojë takime me liderët e partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, raporton KDP duke u thirrur në burime të besueshme partiake.
Vizita e kryeministrit shqiptar përkon me 118-vjetorin e Kongresit të Manastirit, ngjarjes historike të vitit 1908 që vendosi themelet e alfabetit të përbashkët të gjuhës shqipe.

Përveç karakterit përkujtimor, vizita pritet të ketë edhe dimension politik, për shkak të takimeve të paralajmëruara me përfaqësuesit e partive shqiptare.

Ardhja e Ramës në Shkup vjen në një periudhë debatesh politike për përdorimin e gjuhës shqipe, pozitën institucionale të shqiptarëve dhe marrëdhëniet ndërmjet subjekteve politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Në ditët e fundit, çështja e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ka nxitur reagime nga organizata shqiptare dhe ka rikthyer në vëmendje debatin për zbatimin e të drejtave gjuhësore.

Organizata Shqiptaro-Amerikane për Maqedoninë e Veriut (AAONM) u bëri thirrje partive shqiptare, veçanërisht atyre që janë pjesë e qeverisë, të tregojnë përgjegjësi të përbashkët dhe unitet politik në çështjet që lidhen me të drejtat themelore të shqiptarëve.

Megjithatë, ende nuk është bërë e ditur nëse këto çështje do të jenë pjesë e diskutimeve të Ramës me liderët shqiptarë.

Më 22 nëntor shënohet përvjetori i përfundimit të Kongresit të Manastirit, i cili u mbajt nga 14 deri më 22 nëntor 1908 dhe bashkoi përfaqësues të trevave të ndryshme shqiptare për të njësuar alfabetin e gjuhës shqipe.

Kongresi konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e arsimit, kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar.

Në Maqedoninë e Veriut, Dita e Alfabetit është festë zyrtare për pjesëtarët e komunitetit shqiptar.

Vizita e kryeministrit të Shqipërisë në këtë datë mbart simbolikë të veçantë për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe lidhjet kulturore ndërmjet shqiptarëve në rajon.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume