Edicioni i 12-të i Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë dhe të Rritur “Dita Jonë” dëshmoi se vullneti, përkushtimi dhe dashuria për artin e kulturën mund të kapërcejnë çdo vështirësi. Në një sallë të stërmbushur, me publik dhe në ballkonet dhe shkallët e Pallatit, pa mbështetje institucionale, por me një angazhim të jashtëzakonshëm të komunitetit, Kërçova realizoi një ngjarje madhështore artistike, duke dëshmuar se bashkimi është forca më e madhe e një shoqërie.

Kërçova edhe një herë dëshmoi se di të krijojë, të bashkohet dhe të shkruajë histori përmes kulturës. Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë dhe të Rritur “Dita Jonë”, në edicionin e tij të 12-të, u shndërrua në një spektakël të vërtetë artistik, duke sjellë në skenë emocione, talent, profesionalizëm dhe një mesazh të fuqishëm të unitetit kombëtar.

Në një periudhë jo të lehtë për shqiptarët e Kërçovës, ky edicion erdhi si një dëshmi e qartë se dashuria për gjuhën, kulturën dhe traditën nuk varet nga mbështetja institucionale. Përkundrazi, organizatorët dhe mbështetësit dëshmuan se kur ekziston vullneti i përbashkët, familjet, qytetarët, artistët dhe dashamirët e kulturës mund të realizojnë projekte të mëdha edhe pa mbështetjen e Komunës apo Ministrisë së Kulturës.

Nën moton e bashkimit, festivali ofroi një produksion mbresëlënës, me skenë gjigante, një kor prej 60 anëtarësh kërçovarë, 16 këngë konkurruese, pika të veçanta artistike dhe performanca të shumta. Në skenë u ngjitën rreth 100 fëmijë dhe të rritur, të cilët përmes këngës, interpretimit dhe talentit të tyre i dhanë këtij edicioni një dimension të veçantë artistik.

Një tjetër vlerë e rëndësishme e festivalit ishte juria profesionale dhe prestigjioze, e përbërë nga emra të njohur të muzikës shqiptare: Xhevdet Gashi, Zhani Ciko dhe profesori Zylqifli Ziba. Niveli i lartë i interpretuesve dhe cilësia artistike e këngëve e bënë të vështirë procesin e vlerësimit, duke dëshmuar se skena e “Dita Jonë” vazhdon të jetë një hapësirë e rëndësishme për promovimin dhe afirmimin e talenteve të reja.

Çmimin e Madh të Festivalit – GRAND PRIX – e fitoi Rajana Dervishi nga Kërçova, me këngën “Shqipëri, atdheu ynë”, duke kurorëzuar me sukses një paraqitje të veçantë artistike.

Mirënjohje e veçantë iu kushtua korit të festivalit, artistëve, krijuesve, prindërve, nxënësve, drejtorëve të shkollave dhe të gjithë mbështetësve që kontribuuan në realizimin e këtij manifestimi. Kontributi i tyre dëshmoi se kultura mbijeton dhe zhvillohet aty ku ekziston përgjegjësia kolektive dhe dëshira për të ruajtur vlerat kombëtare.

Një urim i veçantë iu drejtua drejtorit Shkodran Tolaj për angazhimin dhe kontributin e tij, ndërsa me emocion u vlerësuan edhe Ylli dhe Zana Ajro, të cilët dikur debutuan në skenën e këtij festivali dhe sot janë pjesë e ekipit profesional. Përgëzime morën gjithashtu Alba dhe Eriona Zendeli, si dhe Marigona Xhambazi, për angazhimin dhe kontributin e tyre në këtë edicion.

“Dita Jonë” nuk është thjesht një festival këngësh. Përgjatë 12 vjetëve të ekzistencës, ai është shndërruar në një traditë kulturore, në një shkollë të artit dhe në një platformë ku fëmijët dhe të rinjtë zbulojnë talentin, fitojnë përvojë dhe hedhin hapat e parë drejt skenave profesionale.

Mesazhi i këtij edicioni ishte i qartë: Kërçova ka njerëz, ka talent, ka vlera dhe ka forcë për të realizuar projekte të mëdha. Ajo që u dëshmua në skenën e “Dita Jonë” është se bashkimi nuk është vetëm një fjalë, por një vlerë që shndërrohet në vepra konkrete.

Edicioni i 12-të do të mbahet mend si Edicioni i Bashkimit, një dëshmi e fuqishme se kur njerëzit bëhen bashkë, edhe vështirësitë më të mëdha mund të kapërcehen.

Sepse “Dita Jonë” është më shumë se një festival. Është identitet, është kulturë, është dashuri për atdheun dhe është dëshmi se në Uskanë, shqiptarët vazhdojnë të ruajnë rrënjët, gjuhën dhe traditën e tyre.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume