Dominim me vulën e Hekuran Xheladinit! SHFK “Migjeni” kampione, taktikat e trajnerit bëjnë diferencën
Kur flitet për futbollin shkollor, SHFK “Migjeni” vazhdon të jetë sinonim i suksesit. Ekipi u shpall kampion i Garave Komunale në Futboll të Madh, duke konfirmuar edhe një herë se rezultatet nuk janë rastësi, por produkt i një pune profesionale dhe i një filozofie fituese informon Tetovasot.
Në qendër të këtij suksesi është trajneri Hekuran Xheladini, i cili për të katërtin vit radhazi po ndërton skuadra konkurruese, pavarësisht se çdo vit ndryshojnë gjeneratat. Organizimi taktik, disiplina në lojë, presioni i lartë ndaj kundërshtarit dhe shfrytëzimi maksimal i cilësive të çdo lojtari ishin elementët që e veçuan “Migjenin” në këtë edicion.
Nën drejtimin e Xheladinit, skuadra luajti futboll modern, me qarkullim të shpejtë të topit, mbrojtje të organizuar dhe sulme të ndërtuara me durim, duke mos u lënë shumë hapësira kundërshtarëve. Pikërisht leximi i ndeshjeve dhe lëvizjet taktike të trajnerit rezultuan vendimtare në rrugën drejt titullit.
“Çdo sukses është rezultat i punës së përditshme. Këta nxënës e meritojnë plotësisht këtë trofe, sepse kanë treguar karakter, disiplinë dhe dëshirë për të fituar. Ne punojmë që çdo gjeneratë të ketë identitetin e saj në lojë dhe të mos varet nga emrat, por nga sistemi. Kjo është arsyeja pse sukseset po përsëriten,” deklaroi Hekuran Xheladini.
Statistikat flasin vetë. Me SHFK “Migjeni”, Hekuran Xheladini është shpallur dy herë kampion i shtetit dhe një herë nënkampion i shtetit, ndërsa tani shton edhe një tjetër titull komunal në koleksion, duke u konfirmuar si një nga trajnerët më të suksesshëm në sportin shkollor.