Një grup hakerësh rusishtfolës dyshohet se ka realizuar sulmin e parë kibernetik plotësisht të automatizuar përmes inteligjencës artificiale (AI), pa ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të njeriut. Zbulimi është bërë nga ekipi i Google për inteligjencën mbi kërcënimet kibernetike, i cili njoftoi se ka identifikuar përdorimin e agjentëve të AI-së për zbulimin dhe shfrytëzimin e dobësive në sistemet kompjuterike.

Sipas raportimit, hakerët kanë përdorur një sistem të bazuar në inteligjencën artificiale, i aftë të identifikojë në mënyrë autonome cenueshmëritë e programeve dhe të gjejë mënyra për t’i shfrytëzuar ato, pa pasur nevojë për ndërhyrje njerëzore.

Objektiv i sulmeve kanë qenë faqe interneti në Francë, kryesisht në sektorët e medias, argëtimit dhe arsimit.

Google e konsideron këtë zhvillim një moment të rëndësishëm në përdorimin e inteligjencës artificiale për sulme kibernetike, pasi deri më tani modelet më të avancuara të AI-së kërkonin ende drejtimin ose ndërhyrjen e hakerëve për të realizuar operacione të tilla.

Zbulimi ngre shqetësime të reja për sigurinë kibernetike, veçanërisht për qeveritë dhe institucionet që administrojnë infrastrukturën kritike, pasi automatizimi i sulmeve mund të rrisë ndjeshëm shpejtësinë dhe shkallën e kërcënimeve digjitale.

Sipas Google, ky rast tregon se inteligjenca artificiale po kalon nga një mjet ndihmës për hakerët në një teknologji që mund të kryejë vetë pjesë të rëndësishme të një sulmi kibernetik.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume