Akademia e Real Madridit ka pasur shumë sukses në zhvillimin e disa prej talenteve më premtuese të futbollit evropian gjatë viteve të fundit.

Aktualisht, akademia e klubit madrilen është shtëpi e shumë talenteve të mëdha, disa prej të cilëve kanë edhe prejardhje të veçantë familjare, përfshirë Martin dhe Lucasin, dy djemtë e legjendës së Real Madridit, Iker Casillas.

Megjithatë, duket se qëndrimi i tyre në akademinë e klubit, e njohur si “La Fabrica”, është drejt fundit pas një vendimi të babait të tyre.

Sipas “Diario AS”, të cilit i referohet “Mundo Deportivo”, Casillas ka vendosur t’i largojë Martinin dhe Lucasin nga “La Fabrica”, pasi ka mbetur i zemëruar me zhvillimet e fundit.

Të dy djemtë janë portierë, duke ndjekur kështu rrugën e babait të tyre, i cili konsiderohet si njëri prej portierëve më të mirë që ka nxjerrë ndonjëherë futbolli spanjoll.

Megjithatë, duket se aventura e tyre në akademinë e Real Madridit ka marrë fund. Raporti sugjeron se vendimi lidhet ekskluzivisht me çështje sportive, pasi Martin, më i madhi nga dy vëllezërit, thuhet se ka humbur rëndësinë brenda grupmoshës së tij.

Edhe mosftesa e tij në një grumbullim të përfaqësueses ka ndikuar në këtë vendim, duke bërë që Casillas përfundimisht të ndërmarrë këtë hap të rëndësishëm.

Tashmë, të dy djemtë pritet të gjejnë klube të reja, ku do të mund ta vazhdojnë zhvillimin e tyre.

Ndonëse arsyet mund të jenë ekskluzivisht sportive, vendimi i Casillasit nuk është edhe aq befasues, duke pasur parasysh marrëdhëniet e ftohta që ai ka pasur me drejtuesit e Real Madridit gjatë viteve të fundit.

Pavarësisht statusit të tij ikonik në klub, Casillas jo gjithmonë ka pasur marrëdhënie të mira me njerëzit që kanë qenë në krye të drejtimit të klubit në “Santiago Bernabeu”.

Këto tensione u rikthyen në vëmendje edhe një herë, kur përmes një dokumentari të fundit të Netflix u rihap çështja e konfliktit të tij me Jose Mourinhon, që kishte ndodhur më shumë se një dekadë më parë.

Casillas gjithashtu nuk ka hezituar që herë pas here ta kritikojë ish-klubin e tij, ndërsa së fundmi kishte ironizuar repartin defensiv të Real Madridit.

Ndoshta zhvillimi më i rëndësishëm në këtë drejtim ishte mbështetja e hapur që Casillas i kishte dhënë Enrique Riquelmes në kandidaturën e tij për president kundër Florentino Perezit gjatë zgjedhjeve të verës.

Ky qëndrim mund të ketë luajtur gjithashtu një rol në vendimin e Casillasit për t’i larguar djemtë e tij nga akademia e Real Madridit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume