Janeska: Optimizimi i shkollave dhe mësimi me një ndërrim mbështeten nga UNICEF-i, ndryshimet në arsim konfirmohen edhe nga raporti i BE-së
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, prof. dr. Vesna Janeska, deklaroi se optimizimi i rrjetit shkollor dhe futja e mësimit me një ndërrim janë masa që synojnë rritjen e cilësisë së arsimit dhe përmirësimin e përvojës së nxënësve informon Tetovasot.
Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetëve në Kuvend lidhur me efektet e reformave në arsim, Janeska tha se për zbatimin e këtyre masave Ministria ka mbështetjen e UNICEF-it, ndërsa analizat e realizuara kanë treguar nevojën për optimizim të objekteve, paraleleve dhe kuadrit mësimor.
“Është bërë një analizë serioze për numrin e objekteve, paraleleve dhe mësimdhënësve të tepërt dhe është përgatitur një plan për optimizim. Ndryshimet që po bëjmë në arsim janë të mira dhe këtë e konfirmon edhe raporti i Bashkimit Evropian për përparimin e Maqedonisë për vitin 2026”, tha Janeska.
Ajo pranoi se janë mbyllur rreth 30 shkolla periferike, kryesisht për shkak të mungesës së nxënësve të klasës së parë ose numrit shumë të vogël të nxënësve.
“Kur fëmijët nga grupet e vogla kalojnë në shkolla më të mëdha, ata kanë më shumë mundësi për shoqërim dhe konkurrim. Prandaj mendoj se duhet të vazhdojmë me këtë proces”, deklaroi ministrja.
Si shembull ajo përmendi rastin në Karbinci, ku nxënësit nga Dolni Balvan janë transferuar në shkollën në Tarincë dhe, sipas saj, janë të kënaqur me mjedisin e ri mësimor.
Janeska bëri të ditur se nga gjithsej 1.023 objekte të shkollave fillore dhe të mesme, në 620 prej tyre është futur mësimi me një ndërrim.
Ajo theksoi gjithashtu se nga procesi i optimizimit asnjë mësimdhënës nuk ka humbur vendin e punës.
“Sistemi arsimor në të kaluarën shpesh është përdorur për blerje të qetësisë sociale. Këtë e kanë bërë të gjitha qeveritë e kaluara. Tani punësime të reja do të ketë vetëm aty ku është e domosdoshme”, tha Janeska.
Ministrja theksoi se në Shkup ekziston nevoja për kuadër të ri arsimor, ndërsa në disa qytete dhe vendbanime të tjera të vendit nuk ka një nevojë të tillë.
Në fund, Janeska u bëri thirrje deputetëve që vëmendjen ta përqendrojnë te cilësia e arsimit dhe të zhvillojnë debat për ligjet e reja për arsimin e lartë dhe shkencën, të cilat ende nuk janë miratuar.Tetovasot