Në vitin 2023 kishte 980 foshnja të porsalindura në Spitalin Klinik të Tetovës, kurse në vitin 2024 kishte kaluar mbi 1000 foshnja të ardhura në jetë

Urim HASIPI

Tetovë, 18 nëntor – Në Repartin e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës pranë Spitalit Klinik të Tetovës, nga muaji janar deri në fund të muajit shtator të këtij viti janë regjistruar gjithsej 785 lindje. Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga ky institucioni, prej numrit të përgjithshëm të lindjeve, 436 janë kryer në mënyrë natyrale, ndërsa 349 janë realizuar me ndërhyrje kirurgjikale, përkatësisht me prerje cezariane.

“Statistikat e nëntëmujorit të parë tregojnë se edhe sivjet vazhdon trendi i epërsisë së gjinisë mashkullore. Gjatë kësaj periudhe në jetë kanë ardhur 409 djem dhe 376 vajza. Po ashtu, në evidencën zyrtare të repartit për periudhën janar-shtator 2026 figuron i regjistruar edhe një rast i të porsalindurit të vdekur”, thotë Merale Rexhepi kryeshefe e Repartit të Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Spitalin Klinik të Tetovës. Sa i përket krahasimit me vitin paraprak, statistikat e Repartit të Gjinekologjisë dhe Obstetrikës tregojnë se gjatë gjithë vitit 2025 në Spitalin Klinik të Tetovës janë regjistruar 1070 lindje. Nga ky numër, 617 kanë qenë lindje spontane, kurse 453 foshnje kanë ardhur në jetë përmes prerjes cezariane. Edhe gjatë vitit 2025 numri i djemve ka qenë më i madh sesa ai i vajzave, me një diferencë prej 16 foshnjash. Konkretisht, vitin e kaluar janë regjistruar 543 foshnja të porsalindur të gjinisë mashkullore dhe 527 të gjinisë femërore.

Në përgjigjen zyrtare të spitalit evidentohen edhe dy raste të të porsalindurve të vdekur gjatë dymbëdhjetë muajve të vitit 2025. Në ndërkohë sipas njoftimeve të mëhershme, viteve të fundit numri i lindjeve shënon një trend pozitiv në Tetovë. Nga viti në vit, numri i lindjeve qëndron në shifrat mbi një mijë lindje. Në vitin 2023 kishte 980 foshnja të porsalindura në Spitalin Klinik të Tetovës, kurse në vitin 2024 kishte kaluar mbi 1000 foshnja të ardhura në jetë.

Nga spitali Klinik në Tetovë thonë se përmirësimi i kushteve në këtë repart ka bërë që shumica e lindjeve të ndodhin në Tetovë dhe të mos shkohet në qendra tjera spitalore, por edhe ka një interesim tek çiftet që të lindin më shumë fëmijë. Përveç bilancit të lindjeve, të dhënat e siguruara nga gazeta Koha përfshijnë edhe statistikat mbi ndërprerjet e shtatzënisë. Sipas evidencës së këtij reparti, gjatë vitit 2025 janë regjistruar gjithsej 84 aborte. Në raportin zyrtar preket edhe çështja e shfrytëzimit të dhomave VIP për lindje. Nga drejtoria e Spitalit Klinik në Tetovë bëjnë të ditur se nuk disponojnë evidencë të veçantë statistikore për numrin e saktë të pacienteve që zgjedhin këtë shërbim, por theksojnë se gjatë vitit 2026 vërehet një rritje e dukshme e kërkesës për të shfrytëzuar dhomat VIP. (koha.mk)

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume