Janë drejt përfundimit aktivitetet për rehabilitimin e tërësishëm dhe me efikasitet energjetik të
konviktit studentor „Kuzman Josifovski – Pitu” në qendër të Shkupit. Objekti do të hapet
para fillimit të semestrit të dytë të vitit aktual akademik, përkatësisht në janar të vitit 2027.
Inspektimin e punimeve ndërtimore për realizimin e investimit me vlerë prej 10 milionë
eurosh, sot e bëri ministrja e Arsimit dhe Shkencës, prof. dr. Vesna Janevska, e cila tha se
Qeveria aktuale po e realizon atë që premton.
„Ky objekt do të jetë konvikti i dytë modern studentor që do ta hapim me mbështetjen e
Bashkimit Evropian dhe bankës Gjermane për yhvillim – KFW, me të cilët së bashku e
filluam dhe do ta përfundojmë procesin e rinovimit të tërësishëm të 9 konvikteve shtetërore të
studentëve dhe 6 shkollave shtetërore me qendra burimore. Këto janë investime të
rëndësishme në standardin studentor dhe në gjithëpërfshirjen e sistemit arsimor”, tha
Janevska, duke shtuar se për realizimin e tyre janë siguruar 86 milionë euro, nga të cilat 60
milionë euro nga KFW, 22 milionë euro janë grante të pakthyeshme nga BE-ja dhe 4 milionë
euro janë mjete buxhetore.
Ajo rikujtoi se para dy muajsh u hap konvikti i rinovuar „Stiv Naumov”, me kapacitet për
akomodimin e 1.150 studentëve, ndërsa tani kapacitetet zgjerohen edhe me këtë konvikt, ku
do të mund të akomodohen 280 persona.
„Tashmë patë se bëhet fjalë për kushte vërtet të shkëlqyera, standarde të larta për këto lloj
objektesh dhe pres që studentët që do ta shfrytëzojnë këtë konvikt të jenë të kënaqur, por
edhe të përgjegjshëm, në mënyrë që sa më shumë gjenerata të mund t'i ndiejnë përfitimet nga
kjo e mirë publike”, theksoi Janevska.
Ajo shtoi se dita e vizitës është zgjedhur në mënyrë simbolike, pasi 17 nëntori është Dita
Ndërkombëtare e Studentëve, ndërsa studentët janë në fokus të politikave qeveritare.
„Kujdesi për standardin studentor është rritur ndjeshëm gjatë disa viteve – praktikisht,
buxheti për këtë qëllim është dyfishuar nëse krahasojmë vitin 2022 me vitin 2026.
Vazhdojmë të punojmë me përkushtim që të rinjtë të jenë të kënaqur me vëmendjen që u
kushton shteti, t’i tejkalojmë sfidat me të cilat përballen dhe t’i mbajmë këtu, në vendin e
tyre, që ta realizojnë potencialin e tyre”, porositi ministrja e Arsimit dhe Shkencës.






